Opinione Belul Arapi, arkitekti i qytetit te Memaliajt

Belul Arapi, arkitekti i qytetit te Memaliajt

1194
3
Shpërndaje

Nga Edmond Ismailati

Si në çdo qytetërim qē ka arkitektët e tij, edhe qyteti Memaliaj njeh vendosmërinë dhe përpjekjet që ka dhënë z. Belul Arapi, kontribut ky që e pagëzon me meritë “Arkitekti i qytetit Memaliaj”. Nuk ishte rastësi që Beluli u ndodh qysh në hapat e para, kur hidheshin themelet e qytetit të ri Memaliaj, por ai ishte i papërtuar dhe i kudondodhur në çdo trevë që kishte nevojë dhe kërkohej ndihma e tij. Për të folur për formimin e karakterit të tij fisnik e patriot e deri në pjesën e jetës së tij qē ja kushtoi qytetit Memaliaj, ku u bë edhe vendlindja jo vetëm e fëmijëve, por edhe nipërve e mbesave të tij, duhet folur qysh nga fëmijëria e tij.

Ai u lind më 10 Gusht të vitit 1928 në Ball të Përmetit. Është fëmija i parë i familjes Arapi me prindër Shaqo dhe Merjeme. Nëna e tij Merjeme Zikaj ishte bijë nga Bylyshi, lagje e fshatit Kashisht të rrethit Tepelenë. Mbas vdekjes së nënës së tij në moshën 12 vjeç, ngelet jetim bashkë me vëllezërit e tij Dajlan dhe Myrteza e motrat e tij. Si më i madhi i fëmijëve mbështet fuqishëm babanë për të përballuar vështirësitë ekonomike që po kalonte familja e tyre.

Si shumë të rinj në atë kohë, edhe ai vendosi të shkonte për të kërkuar punë në portin e qytetit të Durrësit ku punonte edhe i vëllai i tij Mehmeti bashkë me disa bashkëfshatarët e tij të cilët përveç punës si punëtorë ngarkim-shkarkimi, kryenin edhe punë të tjera. Por ndryshe nga bashkëfshatarët e tij, Beluli sistemohet me punë për një periudhë tre vjeçare në një nga familjet e inxhinierve italianë ku i krijohet edhe mundësia të mësonte njokohësisht edhe italishten. Përgjatë kësaj periudhe ai shkruajti edhe poezinë e tij të parë. Nga kursimet prej të hollave që fitonte nga puna e tij, ja u dërgonte familjes, për të lehtësuar vështirësitë ekonomike që po përjetonin. Nga këto vështirësi, ai u burrërua para kohe dhe kthehet në vendlindje ku frymëzohet nga i vëllai i tij Mehmeti për të mësuar të shkruante dhe të lexonte shqip.

Vendi ynë në atë kohë ishte i pushtuar dhe kjo e bënte atë të rritej dita ditës me një urrejtje kundër pushtuesve nazisfashistë. Duke përjetuar atdheun të pushtuar nga çizmet e pushtueseve të huaj, që në moshë shumë të re, Beluli i bashkohet lëvizjes ANÇL dhe bëhet një ndër militantët më aktivë, organizatorë dhe drejtuesit kryesorë të lëvizjes së rinisë antifashiste në zonën e Deshnicës. Ky karakterizim i lartë për shpirtin e tij luftarak e patriotik e bënë atë pjesëmarrës në njësitin territorial të Çetës së Deshnicës dhe më vonë kjo çetë inkuadrohet në Batalionin “Baba Abaz” me Brigadën e 8-të Sulmuese duke dhënë kontributin e tij edhe me rininë si Sekretar i saj. Në këtë moshë 16 vjeçare, ku ai ishte edhe partizan, frymëzohet dhe hedh në letër poezinë e tij të parë të titulluar “Era e ngrohtë” e cila daton Ball 1944. Kjo poezi njihet nga deshnicarët si poezia e parë e kësaj zone.

Belul Arapi përgjatë një vizite në Pekin, si pjesë e një delegacioni shqiptar dhe përfaqësuesi i Qarkut të Gjirokastrës. Pekin 1959

Pas çlirimit të vendit, në vitin 1949 kryen një kurs ushtarak një vjeçar në Tiranë. Vite më radhë ka qenë një nga drejtuesit e rinisë së rrethit të Përmetit duke punuar me përkushtim si iniciues e frymëzues për ecurinë e saj duke marrë pjesë në shumë aksione për ndërtimin e rrugëve të reja dhe ngritjen e vatrave kulturore dhe në disa vepra të tjera që ndërtoheshin në vend, si ajo e shtrimit të hekurudhave.

Bashkëshortja Sulltana Arapi në punë si edukatore

Në vitin 1952 krijon familje të re me Salltana Manushi nga fshati Podgoran i rrethit të Permetit. Në atë kohë, z. Belul punonte në Këlcyrë dhe bashkë me bashkëshorten e tij Sulltanën dhe dy fëmijët e tij të lindur në Përmet, Perlatin dhe Kastrien, vendosen me banim në qytezën e re të Memaliajt ku kjo e fundit bëhet edhe vendlindja e tre fëmiljëve të tjerë, Merjemes, Aleksandrës dhe Qerimes. Ambicjet e tij të shëndosha për t’i shërbyer sa më mirë atdheut të sapo dalë nga lufta e dytë botërore, por edhe për të ndihmuar atë pjesë të popullatës që jetonte nën errësirën e analfabetizmit, e shtyjnë atë për të kryer studimet e larta në degën Gjuhë-Letërsi (1956-58).

Në vitin 1959 behet pjesë e një delegacioni shqiptar ku ai ishte si përfaqësues i Qarkut të Gjirokastrës të cilët vizituan Pekinin.

Belul Arapi përgjatë një vizite në Pekin, si pjesë e një delegacioni shqiptar dhe përfaqësuesi i Qarkut të Gjirokastrës. Pekin 1959.

Ndërsa shkollën e lartë të Partisë e kryen në vitet 1960-62, të gjitha në Tiranë. Gjithashtu, përgjatë kësaj periudhe jep provimet plotësuese dhe diplomohet për lëndët Histori-Gjeografi dhe Filozofi për mësimdhënien në shkollat e mesme.

Vlerësimi i aftësive të spikatura të tij drejtuese, në vitin 1962 e çuan drejt emërimit të tij, si kuadër drejtues kryesor në vendbanimin e familjeve të minatorëve të Memaliajt. Me mbritjen e tij në Memaliaj ai u perëball me shtrirjen e një urbanistike jo të rregullt dhe të pa studiuar mirë. Me pak rrugë vetëm të hapura si transhe dhe të pashtruara ku në ditët me shira mbyteshin nga balta dhe në kohë të thatë ngriheshin shumë tymëra nga errërat qē frynin. Në vazhdim, përgjatë kohës që ai drejtoi, jo vetëm qē u njoh me heroizmat e minatorëve që përlesheshin çdo çaste me thellësitë e nëntokës, me realizimin dhe tejkalimin e planeve në nxjerrjen e qymyrgurit, me energjitë e tyre të pamposhtura që nuk shfaqnin asnjëherë lodhje shpirtërore dhe vrullin e punës së tyre që rritej dita ditës duke avancuar në punimet që hapnin fronte të reja pune dhe sillnin më shumë punëtorë të rinj bashkë me familjet e tyre, por edhe i përjetonte ato jo vetëm nga bisedat e përditshme që bënte me minatorët, punëtorët e ndryshëm të minierës dhe drejtuesit e saj, por edhe duke shkuar vazhdimisht e i takonte në frontet e punës.

Duke parë këto arritje e duke vlerësuar punën e tyre tepër të vështirë, dhe duke e krahasuar me kushtet e jetesës jo vetëm brenda nëpër ndërtesat e tyre por edhe nëpër shtrirjen e vendbanimit që në atë kohë e thërrisnin Minierë dhe jo Memaliaj, atë e shoqëronte një ndjenjë e brendshme, “se këta heronj meritonin më shumë”. Ai e vlerësonte dhe e inkurajonte mendimin e lirë të tyre, jo vetëm për ecurinë dhe përmirësimin e kushteve të punës, por edhe ato të jetesës. Korrektësia, serioziteti dhe çiltësia e tij u bë shumë shpejt e njohur tek memaliotët, pasi ai tregohej shumë i thjeshtë siç ishte në realitet. Kjo e bënte Belulin të ishte i mirëpritur tek të gjithë banorët, të cilët i shprehnin hallet dhe shqetësimet e tyre dhe ai pasi i dëgjonte me kujdes, bënte të gjitha përpjekjet për t’u a lehtësuar apo zgjidhur ato. Shqetësimi tashmë dihej pasi ishte bërë i përbashkët. Zhvillimi me hapa të shpejta dhe plane të tejkaluara të minierës, bëri që të tërhiqte për mirë vëmendjen e udhëheqjes së qeverisë së asaj kohe. Për këto arritje, nga Hysni Kapo u thirrën në Tiranë, sekretari i Partisë për qytetin e Memaliajt Belul Arapi dhe Faik Veizi i cili ishte drejtori i minierës së qymyrgurit në atë kohë, kjo për t’u bërë pjesë e një takimi që do të zhvillohej enkas midis tyre dhe sekretarit të parë të vendit të asaj kohe Enver Hoxhës. I pyetur nga Enver Hoxha se kush nga këta të dy ishte drejtori i minierës, i kërkoi që të raportonte për ecurinë e punës në minierë dhe mbasi e dëgjoi të raportonte realizimin e planeve, e përgëzoi atë. Në vazhdim pyeti edhe Belul Arapin, kryesisht për përpjekjet dhe ecurinë e punëve të partisë në këtë qytet.

Mbas marrjes së falenderimeve për realizimet dhe tejkalimet e planeve që kishte arritur miniera e Memaliajt, Beluli për vetë natyrën e tij të lindur për të shprehur të vërtetën, pasqyroi realitetin me një vendosmëri prej fisniku bashke me kurajon që t’i kërkonte Enver Hoxhës fjalën dhe mbështjen e tij, për të çelur fonde të cilat do të transformonin Memaliajn, nga një qendër banimi, në një qytet me të gjitha shërbimet sociale dhe ja arriti qëllimit. Ai parashtroi shtrirjen e vendbanimit urban i cili ndodhej pa një planimetri të rregull dhe të studiuar ku në përbërje ishte me asnjë rrugë të asfaltuar dhe qendra të tjera shërbimi. Po ashtu theksoi edhe kushtet jo të mira nëpër familjet e minatorëve të cilët nuk i meritonin këto mungesa, qofshin edhe kushtet më minimale. Duke prezantuar vrullin dhe përkushtimin në punë të memaliotëve, heroizmin e minatorëve të cilët përlesheshin çdo ditë me damarët e thellësive të tokës duhet të kishin një kujdes të veçantë nga shteti dhe drejtuesit e saj duke e transformuar Memaliajn nga një qendër banimi në një qytet me parametra bashkëkohorë për atë kohë. Padyshim që në këtë sukses të këtij takimi ku e bënë Belulin më krenar dhe të vendosur për të kërkuar më shumë për Memaliajn dhe memaliotët, kishin merita të gjithë ata minatorë dhe punëtorë ku me punën e tyre bënë të mundur të tërhiqnin vëmendjen e qeverisë së asaj kohe. Ajo që duhet theksuar në këtë sukses ishte edhe puna e pamohueshme drejtuese dhe me përkushtim të lartë të ish drejtorit të asaj kohe, z. Faik Veizi i cili ishte prezent në këtë takim po aq historik për vetë këta dy personalitete të qytetit tonë, por edhe për të gjithë memaliotët.

Belul Arapi me një nga kuadrot më të nderuar të asaj kohe Avni Axhemi, duke shëtitur nëpër rrugët e Memaliajt në vitet 1960.

Gjithë detajet e vizitës së lartpërmendur i kam hedhur në shkrimin “Si u transformua qendra e banimit Memaliaj, në qytet!” ku është  botuar në gazetën “Tirana Observër“ (08.11.2013), ku po nga ky shkrim po shkëpus pjesën që tregon vazhdimësinë e jetës dhe të kontributit të tij të cilin me ndonjë shtesë të vogël do t’a lexoni si me poshtë: “Si kuadër drejtues kryesor për qendrën e banimit të minatorëve të Memaliajt i përkushtohet me të gjitha energjitë dhe aftësitë e tij intelektuale, për të frymëzuar dhe organizuar të gjithë banorët e kësaj qëndre, për t’u bërë bashkëkontribues nëpër aksionet e njëpasnjëshme vullnetare, të cilat, falë mundit, punës dhe djersës së tyre, e tranformuan në një kohë shumë të shkurtër, në një qytet bashkohor në rang republike për atë kohë, ku përveç hapjes të rrugëve të reja dhe asfaltimit, shtrirjes së urbanistikës, strukturimit të qendrës së sotme, ngritja e pallatit të kulturës, ngritjen e këndeve sportive të pajisura me komplekse paralelesh, fusha basketbolli e volejbolli për çdo lagje, ndërtimin e lulishteve dhe trotuarëve që ende egzistojnë, e kanë bërë atë një personalitet shumë të nderuar për qytetin tonë. Përveç kontributit të tij për qytetin Memaliaj, ai e ka dhënë edhe për fshatin e tij Ball përgjatë viteve 1969-72. Kjo erdhi si pasojë e një letre të hapur që bashkëfshatarët tij i kishin dërguar udhëheqjes së asaj kohe, për të dhënë kontributin edhe për vendlindjen e tij. Ai e filloi si kryetar kooperative duke inciuar, frymëzuar dhe punuar krah për krah bashkë me bashkëfshatarët e tij për ndërtimin e qendrës së fshatit, vatrën e kulturës, shkollën 8 vjeçare, qendrën shëndetësore, hapjen e rrugës për në fshat, …etj. Puna e tij drejtuese, e ktheu nga një fshat të vogël me 30 shtëpi, në një qytezë të bukur rrëzë malit të Trebeshinës. Dashuria për vendlindjen i dha shtytje për të shkruar historikun e fshatit. Studimi i tij titullohet “Historiku i fshatit Ball”, i cili është dorëzuar i shtypur me makinë shkrimi në rrethin e Përmetit dhe është bërë vetëm në 4 kopje, kopja origjinale ndodhet në Muzeun e rrethit Përmet (1981). Gjithashtu ka lëvruar edhe poezinë qysh në vitet përgjatë LANÇL. Në vitin 2000, ka botuar vëllimin me poezi “BALADA JONÉ” ku ka përfshirë të gjithë krijimtarinë e tij poetike ndër vite.”

Shpallet “Anëtar nderi i shoqatës Dëshnica” në vitin 2003. Nderon jetë më 16 tetor 2004. Bashkëqytetari Belul Arapi, për të gjitha përpjekjet dhe kontributin e tij të pashoq që ka dhënë, do të kujtohet dhe nderohet më shumë respekt, si një rilindas i vërtetë bashkëkohor për atë kohë, ku vepra dhe shembulli i tij është nderuar, vazhdon të nderohet dhe e trashëguar do të ngelet nga brezat në çdo kohë.

Ndërsa me propozim të një grupi këshilltarësh dhe të Shoqatës Atdhetare e Kulturore “Dëshnica”, Këshilli i Komunës së Ballabanit vendosi me vendim Nr.10, datë 23.02.2015, që z. Belul Arapi t’i akordohet titulli “Nderi i Komunës së Ballabanit” me motivacionin: “Pjesëmarrës i hershëm aktiv në lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare në zonën e Ballabanit dhe që ka kontribuar fuqimisht në terren, për shporrjen e pushtuesve të huaj nga trojet tona kombëtare, si dhe për zbatimin e reformave që u ndërmorën mbas çlirimit të vendit.”

Mbaj mend nga një bisedë që bëhej midis disa memaliotëve të vjetër në moshë, ku e përmendin me shumë respekt xha Belulin, jo vetëm për karakterin dhe virtytet e tij të larta, por edhe për kontributin e tij që dha për qytetin tonë. Madje një prej tyre përmendi se kishte patur fatin që të punonte me atë dhe ta njihte më mirë. Ai tregoi një rast të viteve 1966-67 që lidhej me dashurinë e këtij burri me qytetin e Memaliajt. Në ato vite ai ishte thirrur nga Drejtori i kuadrit të KQ të asaj kohe Mihal Bisha dhe i kërkonte mendim mbas propozimit të bërë për ta emëruar Zv/ Kryetar të Komitetit Ekzekutiv të qytetit të Durrësit, por Beluli nuk pranoi që ta ndërronte me Memaliajn ku në ato vite, nga miniera, sa vinte dhe fitonte emër më të mirë. Përgjigjia e tij ishte “Ndihem më mirë në Memaliaj”. Po ashtu përgjatë bisedës u dëgjua që edhe pse ai ishte një ish veteran lufte dhe një intelektual me virtyte të rralla që dinte të bënte për vete dhe të frymëzonte për të punuar të bashkuar, kishte edhe kundërshtarë të cilët nuk e donin t’a shikonin si drejtues kryesor, pasi ishin xhelozë nga arritjet në sajë të këmbënguljes dhe përkushtimit të tij.

Bashkëshortja Sulltana Arapi në punë si edukatore

Ai ishte gjithashtu edhe një poet i spikatur ku bashkë me mikun e tij të familjes poetin dhe folkloristin Maliq Lila, shprehnin mendimet rreth krijimeve të tyre dhe më gjerë. Në krijimet e tij që përcillnin mesazhe nga më të ndryshmet për jetën, ishin edhe ato që u jepnin kurajo njerëzve dhe familjeve përgjatë fatkeqësive apo tragjedive që ata përjetonin. Një nga këto raste janë edhe vargjet që ai krijoi për këngën kushtuar dëshmorit të minierës Qazim Hasimi i cili humbi jetën tragjikisht në minierë, largim ky që i tronditi të gjithë ata që e dëgjuan dhe për t’u dhënë kurajo minatorëve dhe punëtorëve të tjerë të nëntokës kënga hyri në historinë e qytetit tonë. Këtë këng e kam lexuar tek shkrimi “Si lindi një këngë” me autor ish drejtorin e Pallatit të Kulturës z. Xhafer Kuçi.

Vëllimin e tij me poezi “Balada Jonë” me redaktor studiuesin Novruz Xh. Shehu më ka rënë në dorë nëpërmjet një të afërmi të tij nga Përmeti që banon në Staten Island të Nju Jorkut. Ishte një vëllim që ishin përmbledhur të gjitha poezit e tij ndër vite, krijime këto aq të bukura sa që nëse do ta lexoje poezin e parë do të mbanin mbërthyer për ta mbaruar së lexuari të gjithë vëllimin. Një kritikë e arrirë rreth këtij vëllimi me poezi i ka kushtuar edhe studiuesi përmetar Kujtim Mateli. Ai shprehet: “Po Beluli përveç kujtimit të mirë, la pas dhe një vepër poetike ku kushdo e ka mundësinë të komunikojë me të. Vargjet e tij kanë hyrë në fondin e letërsisë dëshnicare. Poezia e tij po rrezaton bashkë me krijuesit e tjerë dëshnicarë në të gjithë hapësirën shqiptare. Mbi 50 vjet Beluli krijoi e thuri vargje. Përmeti e Tepelana, ku Beluli gdhendi emrin e vet, si simbol i mirësisë dhe dashurisë për njerëzit e vet, i dhanë material të bollshëm që i ktheu në motive poetike”.

Po në këtë vëllim të tij me poezi, gjeta edhe një poezi kushtuar babait të tij, ku bashkë me disa poezi të tjera (që gjeta) të poetëve tepelenas si Maliq Lila, Zaho Balili, Fotjon (Tony) Thanasi, Dhori (Xhelil) Thanasi, Çerçiz Myftari, Gëzim Llodja, etj, tek gruplista “Mëmëdheu” hodha idenë për përgatitjen e një antologjie kushtuar vetëm për baballarët, por të gjithë këta tepelenas do të ngeleshin jashtë kësaj antologjie nëse nuk do të kisha mësuar dhe ndaluar për një prapaskenë që kishte kurdisur “patriotja jonë tepelenase” Këze Kozeta Zylo. Ndoshta, ka dashur që të ishte e vetme si tepelenase në këtë antologji, duke më mohuar edhe si ideatorin e kësaj antologjie, shqetësim ky që e kam përshkruar në detaje në shkrimin tim “Disa fjalë për antologjinë poetike “Zemra prindërore” dhe autorët e vërtetë të saj! (me nëntitull) – Fenomeni Kadare, për idetë që çojnë në një vepër letrare.”, ku mos publikimi i këtij shkrimi nëpër gruplistat me e-mail-e dhe portalet shqiptare u pengua fuqishëm nga vetë Këzia ndihmuar nga duart e tufës së dordolecave të saj. Por falë fisnikërisë së poetit tepelenas, bënçiotit Engjëlli Shehut, i cili e publikoi tek portali i tij dhe është i vetmi ku mund ta lexoni edhe sot. Pra, do të ishte një fatkeqësi nëse poezia e poetit Belul Arapi dhe e poetëve të tjerë tepelenas do të gjendeshin jashtë këtij evenimenti që kryente diaspora me poetë nga të gjitha trevat shqiptare. Si e tillë edhe sot nuk do të kisha të drejtë morale dhe shpirtërore që të shkruaja edhe artikullin në fjalë kushtuar veprës dhe kontributit të tij.

Poezitë e Belulit janë lexuar me shumë kujdes, jo vetëm nga lexuesit dhe dashamirësit e poezisë dhe të librit, por edhe nga krijues dhe poetë nga treva të ndryshme të vendit. Një nga poezit e tij, midis shumë poezive të tjera nga poetë shqiptarë dhe të huaj, merrte pjesë në një konkurs që zhvillohet një herë në vitë në Tetovë a Prishtinë. Po në këtë konkurs poetik, një nga poezit e tij vlerësohet me çmimin e dytë ku është shoqëruar edhe me një shumë lekësh rreth 10.000 lekësh të reja.

Ndërsa tek gazeta “Dëshnica” në artikullin përkujtimor “Deshnica nuk do ta harrojë njeriun e punës dhe të aksionit” po sjellim të shkëputur vetëm një fragment të saj ku shkruhet: “Beluli ish ndër kuadrot më me zë të administratës së re të Përmetit e Këlcyrës. Ai u shqua si organizator i zoti edhe në drejtimin e disa ekonomive bujqësore, në Ballaban të Përmetit, Dukaj të Tepelenës, por edhe në organet e pushtetit vendor e sektorëve të tjerë të jetës në këto rrethe. Ku nuk i thanë Belulit të shkonte për të nxjerrë nga situatat e vështira sektorët e ekonomisë, e fronte të tjera pune dhe ai nuk vajti. Ku nuk i kërkuan atij të jepte shëmbullin vetjak, për të bindur e vënë në punë të tjerët e ai nuk i’u përgjigj. Bashkëfshatarët e tij, më shumë se kushdo tjetër nuk kanë se si t’ia harrojnë atij. Beluli tregon në këtë rast, se si udhëhiqej e drejtohej, por edhe se si ndërtohej, duke u bërë njeriu më i dashur dhe i respektuar nga brezi i ri i viteve ’60-’70, të cilëve u krijoi kushte për argëtim dhe kulturizim më të madh, për emancipimin e mëtejshëm shoqëror. Ajo çfarë ka mbetur sot atje, e me të drejtë konsiderohet “Punë e vyer e Belulit”, objekte të kohës së Belulit. Këtij njeriu i qante zemra për fshatin, për Deshnicën e për Përmetin, ku ish rritur e frymëzuar qysh në vegjëli, por po kaq donte dhe respektonte Tepelenën, Memaliajn dhe gjithë Labërinë, ku kish ndarë me ta të mirat e të këqijat e jetës… I respektuar do te mbetet ai dhe në kujtesën e Shoqatave Atdhetare e Kulturore “Deshnica”, “Përmeti” dhe “Tepelena”.” Ky artikull në fjalë mban autorësinë e Gëzim Voda, Kryetar i Shoqatës “Deshnica, Niko Tyto, Sekretar i Shoqatës “Përmeti” dhe të Zihni Haskaj, Kryetar i Shoqatës “Tepelena”.

Belul Arapi me bashkëqytetarin e tij Shefqet Qerimi në një nga rrugët e tij të asfaltuara.

 

Ndërsa mësuesi veteran Thanas Hoda i cili ka dhënë mësim për dekada të tëra jo vetëm në qytetin e Memaiajt, por edhe në atë të Tepelenës dhe fshatrave e saj shprehet: “Sot, nëpërmjet Facebooku-t po e mësoj që z. Belul Arapi ka ndërruar jetë! Nuk është kurrë vonë për t’i dërguar familjes dhe fëmijve të tij të mirë ngushëllimet e mia më të thella! Njerëzit e mirë edhe pse largohen nga kjo jetë, nuk harrohen, por kujtohen për jetë! Me Belulin kaluam një jetë të tërë në Memaliaj. Njeri i palodhur dhe i ndërgjegjshëm për detyrat që i ngarkoheshin. Një njeri i ndershëm dhe i shoqërisë së sinqertë, me dell poeti me të cilin konsultoheshim shpesh. Ka meritën e tij të veçantë për asfaltimin dhe zbukurimin e qytetit. Kishte ndjenjën e të bukurës dhe të mirë. Ka lënë gjurmë që nuk harrohen! Njerëzit e mirë lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat e atyre që i njohin! Beluli është një nga të rrallët qē do të kujtohet me respekt të veçantë si njeri i dashur, i qeshur, i zgjuar, dashamirës, i talentuar dhe me shpirt e shije artisti! Me fëmijë të edukuar, të zgjuar që dalloheshin në gjithë qytetin të cilët të imponojne respekt dhe që ecin në gjurmët e atyre prindërve shembullorë pa harruar kujtimi i tij dhe të prehet i qetë me shpirtin në parajse!

Luan Pacani: “Belul Arapi, biri i Deshnicës, punëtori e drejtuesi i palodhur që i shkruan me dashuri vendlindjes së tij.”

Ahmet Shehaj: “E kam njohur nga afër, pasi kemi punuar sëbashku në bujqësi, në rrethin e Përmetit. Megjithëse nuk ishim nga një zonë, por na bashkonte detyra. Kujtoj zgjuarsinë, vendosmërinë dhe humorin e këtij burri të guximshëm. Sa herë që takoheshim në Tiranë, pirjen e kafes e shoqëronin bisedat e këndshme dhe të pashlyeshme.”

Myzafer Abedini: “Belul Arapi do të mbahet mend si njeri me kulturë edhe që punoi pa kursim për qytetin tonë, por kryesorja është se e bëri qytetin e Memaliajt, një qytet që nga çdo anë që shkoje, shikoje vetëm asfalt për kohën që ishte. Ai edukoi fëmijë shumë të mirë. I paharruar kujtimi i tij.”

Vasil Nasi: “S’dua salltanete, S’dua privilegje, Dua vetëm punë, Dhe liri pa dhunë..” Ky ishte karakteri i Belul Shaqo Arapit birit të Deshnicës që nuk rreshti për asnjë moment së menduari dhe punuari për Qytetin e Memaliajt të cilin e donte aq shumë dhe që bëri me shumë se kushdo tjetër por që ndarjet partiake nuk po i japin vendin që i takon këtij personaliteti të të shumë fushave që i vuri gjithmonë në dobi të Memaliajt. Të gjithë energjinë shpirtërore dhe fizike Beluli e konsumoi për ndërtimet, rrugicat, lulishtet dhe ambjentet e ”1 Majit” buzë Vjosës. Ideja e tij ishte por e pērgjysmuar mbasi ai kërkonte të rregullohej e gjithë buza e Vjosës që kufizonte qytetin. Si drejtues në disa sektore të jetës administrative kryesore për z.Belul Arapi ishte jeta dhe mirëqënja e qytetarëve memaljot për të cilet kishte respekt dhe dashuri prindërore, Ai ishte i mirëpritur në ç’do familje memaljote si vëlla, si shok por edhe si edukator e frymëzues, se ishte i mençur e gojë mjalt. Rreth Belulit mblidheshin shumë vetë dhe dëgjonin me vëmendje këshillat dhe mendimet e tij, mbasi ishte mjeshtër i komunikimit, ishte i vendosur dhe i prerë për atë që thoshte e vepronte. Demokracinë Beluli e njihte që nga edukata familjare e hershme dhe nuk e mori vesh në 1990. Dogmat dhe urdhërat e prerë nga larg realitetit atë e shqetësonin deri në atë masë sa ai i kundërshtonte duke marrë edhe riskun e tyre me vuajtje nga regjimi, por nuk u mposht dhe ja u doli faqe bardhë dhe ballin lart. Belulit kurrë nuk ja pamë kurrizin, mbasi ishte njeri guximtar dhe me nivel që të priste ballë për ballë. Të tillët nuk duhet t’ja u lëmë harresës por t’u japim të paktën minimumin e asaj që na kanë dhënë së kështu respektojmë një nga vlerat me njerëzore Mirënjohjen.”

Ndërsa studiuesi Kujtim Mateli në shkrimin “Belul Arapi në 85-vjetorin e lindjes së tij.” të publikuar tek “Zemra Shqiptare” (25.11.2013) midis të tjerash shkruan: “Beluli më shumë se sa përfaqësues i shtetit, ishte përfaqësues i njerëzve të komunitetit në të cilin ai bënte pjesë. Falë zgjuarësisë dhe mënçurisë që e karakterizonte, u ngrit në nivelin më të lartë të përgjegjësisë dhe të kujdesit që ai kishte për njerëzit në sektorin që mbulonte. Kam patur fatin që gjatë atyre viteve që Beluli ishte kryetar i kooperativës së Ballabanit, të jem normist për sektorin e Mazhanit dhe kështu kam patur mundësinë ta njoh mirë dimensionin real të personalitetit të tij. Ishte gati i pakonkurueshëm nga kuadrot e tjera të rrethit që merrnin pjesë në këto mbledhje për frymën optimiste që ngjallte fjala e tij. Ishte orator i klasit të parë. Ajo që e lartësoi Belulin ishte besimi që njerëzit kishin tek ai. Ishte i lindur nga natyra për të mos i bërë keq askujt dhe gjithashtu një këshilltar i mirë për cilindo që i drejtohej për ndihmë…. Belul Arapi u përket atyre kuadrove që nuk e pati një bllok ku të shënonte bashkëfshatarët a bashkëqytetarët e vet e t`i raportonte më tej, si shenjë besnikërie ndaj partisë. Kam më tepër se dy vjet që kam shkruar për Belul Arapin në shtypin e shkruar apo dhe në rrjetin social Facebook dhe reagimet e njerëzve janë përmbledhur në atë që Beluli Arapi ka qenë burrë. Mendimi im, nga njohja që kam patur, por dhe vlerësimi i njerëzve shkojnë në të njëjtin drejtim që burrëria e Belulit është shfaqur në marrëdhëniet që individët kanë patur me të. Ai mbeti deri në fund të jetës dëshnicari tipik, i përkushtuar ndaj detyrës shtetërore dhe besnik e mirënjohës ndaj popullit të cilit i shërbente…. Memaliaj, nga një qendër e banuar, mori fytyrën e një qyteti modern ku njerëzit e identifikojnë lindjen dhe zhvillimin e këtij qyteti me emrin e Belul Arapit. Një kontribut të veçantë ka dhënë në rrethin e Tepelenës dhe në drejtimin e kooperativës së Dukajt.”

Belul Arapi me familjen e tij

Një kontribut të madh nga kjo familje memaliote ka dhenë edhe bashkëshortja e tij Sulltana Arapi e cila ka punuar një jetë të tërë si edukatore në çerdhe. Një nënë e dashur jo vetëm për fëmijët e saj, por të njëjtën dashuri tregonte edhe për fëmijët e tjerë memaliotë që ajo kishte nën kujdestarin e saj. Të gjithë brezat e memaliotëve i thërasin ende nënë Sulltana, një respekt dhe mirënjohje kjo, për kujdesin dhe përkushtimin e saj si një nënë e dytë dhe një edukatore e dashur qysh në hapat e para të formimit të brezave që ishin në çerdhen e qytetit tonë. Çifti Arapi, rriti dhe edukoi edhe pesë fëmijët e tyre të cilët përveç formimit të tyre intelektual, ishin model në sjelljet e tyre, një cilësi kjo që ja u shtonte akoma më shumë thjeshtësia e tyre. Fëmijët e tyre janë katër vajza dhe një djalë. I pari është Perlat Arapi i cili ka kryer arsimin e lartë ushatarak, kursin e lartë të filozofisë dhe një sërë kualifikimesh nga një deri në tre muaj në vende të ndryshme lindore dhe perëndimore. Gjithashtu, Perlati ka shërbyer përreth dy vjet në Kabul të Afganistanit si përfaqësues i FASH në misionin paqeruajtës, Afganistan 2011. Kastrie Arapi (Jorgo) ka kryer Institutin e Lartë bujqësor Kamëz (dega financë), Merjeme Arapi (Lufta) ka kryer shkollën e Mesme “Sali Nivica” në Memaliaj, Aleksanra Arapi (Velaj) ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës Dega Gjuhë Letërsi dhe Qerime Arapi (Mullaraj) ka studiuar në Liceun Artistik dhe Kolegjin e Lartë Kristal (Dega Muzikologji).

Duke parë gjithë këtë kontribut të patjetërsueshëm të këtij burri të rrallë dhe këtij intelektuali të spikatur të fjalës frymëzuese dhe drejtuese në vendbanimet dhe qytetet që ai ka punuar dhe jetuar, ndihet i ligështuar kushdo që e njeh kur mëson se ende pushtetet lokale dhe ato të qarkut nuk e kanë vlerësuar me titull nderi. Shprehem kështu, sidomos për atë të pushtetit lokal të qytetit të Memaliaj për faktin se e bëri qytetin të vetmin me unazë në jug dhe tjetra të asfaltuar disa vjet më përpara se qyteti i Tepelenës. Po ashtu, është një fatkeqësi që ende asnjë nga rrugët, sheshet apo lulishtet nuk është pagëzuar me emrin e tij. Madje i ndjeri Belul Arapi, ashtu si edhe të tjerë që kanë dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e këtij qyteti që në fillimet e tij, duhet të kishin nga një bust apo shtatore në një nga vendet e qendrës së qytetit.

Belul Arapi me djalin e tij Perlatin

Duke e shprehur me dhjetra herë këtë shqetësim edhe në faqen “Memaliaj” në Facebook, kam lexuar edhe disa komente të disa bashkqytetarëve të cilët po i sjell si më poshtë:

Armand Kapllani: “Kjo është e rregulluar me ligj Mondi, me saktësisht në ligjin për sistemin e adresave dhe kriteret janë të përcaktuar mjaft qartë dhe duhet të ndiqen nga njësitë e qeverisjes vendore. Rrugët duhet të emërtohen me emrat e individëve më të spikatur dhe të shquar, që kanë dhënë kontribute në themelimin dhe zhvillimin social dhe ekonomik të qytetit.”

Isak Vlashi: “Duhet të respektohen njerëzit që i kanë dhënë qytetit dhe mos të shikohen nga bindjet partiake. Të gjesh në Memaliaj një rrugë me emrin e të ndjerit Belul Arapit, sigurisht që duhet të krenohet qyteti. Edhe pse kemi më shumë se dy dekada që jemi shkëputur nga sistemi i kaluar, ende ligjet i bën Maliqi si t’i duash, por kjo është një fatkeqësi kombëtare.”Bektash Çaushi: “Ke shumë të drejtë Mondi, por ja që shumë gjëra në qytetin tonë nuk bëhen me të drejtë, por me të njohur, gjë që fatkeqësisht jetohet akoma!”

Ky është një përshkrim i shkurtër për jetën dhe veprimtarinë e Belul Arapit i cili meriton më shumë për kontributin e tij për qytetin e Memaliajt. Por me ndarjet dhe përçarjet partiake që lindën pas viteve 90′, mentaliteti i mbrapshtë e dashakeq i personave publikë pa vlera intelektuale që kanë parë vetëm xhepin e tyre, ka bërë që të anashkalohen me ligësi e të lihen në harresë e të mos nderohen figura të tilla, vepra e të cilëve është para syve të çdo qytetari memaliot.

Belul Arapi në një aktivitet në ditën e para të shkollës në vitet 1960.

Po e theksoj edhe njëherë, se pushteti lokal i Memaliajt duhet të ndërmarrë pa vonesë iniciativën e mbështetur nga qytetarët memaliotë për sa më poshtë po parashtroj:

1- T’i jepet titulli “Qytetar nderi i Memaliajt”,

2- Të vendoset një bust në një nga lulishtet e qytetit,

3- Bulevardit që është asfaltuar me kontributin direkt të Belulit, t’i jepet emri i tij,

4- Të pasqyrohet në muzeun e Memaliajt poezia dhe aktiviteti i tij kulturor!

5- Të ribotohet vëllimi i tij me poezi dhe të stimulohet studimi i tij historik me vlera të mirëfillta, që bën fjalë veç të tjerave edhe për origjinën e trevës ku ai u lind!

 

3 Komente

  1. Je bere shume bajat me keto shkrime ti Edmond.Per c’fare qellimi shkruan dy here per te njejtin person,i cili s’po na del se ka bere ndonje gje te vecante nga moshataret e tij. Ne Memaliaj kane dhene jeten ne minierat e qymyrgurit dhe ti qe ke lindur dhe e “njef” mire qytetin tend s’po na shkruan nje rresht. Edhe per Skenderbeun, Ismail Qemalin apo Bajram Currin do ishte e tepert te zgjateshe kaq shume,ti na shkruan nje “gazete” te tere per kete person me se i zakonshem. Megjithate, deshira per te shkruar dhe cilesia e te shkruarit jane dy gjera te kunderta te personaliteti juaj,Edmond.Te paren e ke kurse te dyten jo,sepse nuk i gjykon dot ato qe shpreh. Lerja dikujt tjeter te miret me keto shkrime historike sepse je person i gabuar ne nje “fushe” te gabuar. Te fala ish-bashkeqytetari im!.

  2. Një shkrim i arrirë, i shkruajtur me shume kujdes, durim dhe përkushtim duke u munduar per t’i dhënē lexuesit njē portret samē të plotë të këtij personaliteti që vetëm kam dëgjuar për këtë, pasi kur janë ndërruar sistemet, kam qënë vetëm psë vjeç. Respekt të veçantë edhe për ju Mondi që shkruan vazhdimisht për vendlindjen tonë dhe bashkëqytetarët tanë ku asnjë deri më sot se ka bërë me kaq përkushtim dhe duke u munduar të sjell samë shumë detaje të cilat e bëjnë më të pasur dhe tërheqës shkrimet. Shikoj që “bashkëqytetari ynë”, komentuesi CURBELI, pasi me ato që shprehet nuk e meriton të jetë, në të kundërt duhet të dal me emrin e tij si burrë (kaposh) dhe jo të flasë si ata burra që janë marr gjithë jetë duke rritur PULA!

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in