Opinione Bir Selmani i nënës…

Bir Selmani i nënës…

25
0
Shpërndaje

Nga Petro Marko

Botuar më 1935

Importimet tona dhe deputetët

Një deputet i ynë shkoi te një dyqan mobiliesh për të blerë një sallon. Këto mobilie bëhen këtu, janë të forta, të mira e të lira. Deputeti s’ kishte pëlqyer plaçkat që i dëftuan.

Dyqanxhiu i kishte lavdëruar këto dhe i kishte thënë se në Shqipëri s’mund të bëhen më të mira se ato dhe fjalimi kishte vazhduar kështu:

Deputeti: – Pffff… S’ më pëlqejnë! Më mirë të sjell nga jashtë një sallon.

Dyqanxhiu: – Po ne me se të rrojmë, kur njerëzia të sjellë nga jashtë mobiliet?

Deputeti: – Po unë dua mall të mirë dhe me që s’ka këtu, do ta sjell nga Vjena.

Dyqanxhiu: – S’kini të drejtë, z. deputet. Me të vërtetë, malli i Vjenës është më i mirë se ai i Shqipërisë. Mirëpo, kjo mund të thuhet edhe për… deputetët.

Edhe ne e dimë se deputeti i Anglisë ose i Zvicrës mund të jetë më i mirë se ai i Shqipërisë, por, megjithatë, deputetët nuk i biem nga ato vende dhe kënaqemi me ata që kemi këtu!..

Ata që duan ta marrin vesh se cili është deputeti në fjalë, le të drejtohen në zyrat e “Arbenisë”.

***

Si do të priten deputetët

Më falni dhe mos e merrni për ters, mor jahu, se deputetët tanë s’priten kollaj. Fjalën e kam këtu, se qysh tani bëhen përgatitje të mëdha, për të pritur “baballarët” triumfonjës, se e plotësuan mirë detyrën e tyre.

-Nga t’ia mbajmë? I thoshte pardje një deputet sivëllait të afërt.

-Them t’iu bëj një telegram që të dalin dhe të më presin, se unë e di që ushqej simpati të madhe në popullin bujar të qytetit tim.

-Po, po, e kam marrë vesh. Unë mendoj se ku do ta shkoj verën, se që të vete në fshat nuk guxoj, vallahi të them. Dikush më shkroi se janë bërë gati të më presin me saze e gërneta. Unë s’vete se e di që do të më futin në valle… unë mezi lëviz e jo të kërcej. Dhe u mbetet hatri, kur s’kërcen me ta. Atëherë thonë: “Ky s’pranon”, dhe hajde në vjeshtë t’u marrësh ndonjë votë. Meazallah, se s’u bën qejfin, të lënë fare…

Prandaj, do të preferoj që të shkoj jashtë dhe të mos piqem fare me asnjë. Se dije, që të çmohesh shumë, mos para eja në kontakt me ta se të njohin. Se më duket, më dolli kripa më, mor katran.

-Kam marrë vesh, shtoi një tjetër, që kudo bëhen pritje të mëdha. Gjithë atdheu është në lëvizje.

-Mor mirë thua ti, ia priti tjetri, unë kam kohë që lloisem se ç’ këmbë do të hedhim të fundit atë ditë të zezë që do të dalim përgjithmonë nga kjo vatra jonë e shenjtë. E vras mendjen mor jahu…

-Jo, mor të vraftë. Për këto lloisesh ti? Po të hedhësh të djathtën, atëherë mot ishalla, do të jesh i partisë së djathtë, e po të hedhësh të mëngjrën, do të jesh i së mëngjrës.

-Ç’ janë këto që më thua. Kalama jam unë, apo rezervist që do të më bësh mua talim. Unë them që po të hedhësh këmbën e djathtë do të presin mirë mileti. E po të hedhësh të mëngjrën do të të nxjerrin avaze. Këtë e kam kënduar në “Kujtimet e Nastradinit”.

Ndërsa në Tiranë bëhen këto bisedime, ndër katunde dhe qytete përgatisin, pritje të mëdha. Ndër disa vende thonë se do të bëjnë “arco di trionfo” nga do të kalojnë baballarët e kombit, të cilët, në zgjedhjet e ardhshme do të emërohen jo gjyshërit, por stërgjyshërit e kombit.

“Arbenia” Nr. 131, dhjetor 1935

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in