Aktualitet Burgim deri në 2 vjet për ata që burgosin kafshët dhe 3...

Burgim deri në 2 vjet për ata që burgosin kafshët dhe 3 vjet burg për ndeshjet me qen

78
0
Shpërndaje

Keqtrajtimi i kafshëve të egra është një dukuri e cila vazhdon akoma në vendin tonë.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka depozituar në Kuvend një projektligj për disa ndryshime në Kodin Penal.

Projektligji është ndërtuar me disa shtesa në kategori të ndryshme, ku një ndër nenet përfshin edhe “Robërimin e kafshëve të egra për përfitim”.

Sipas këtij neni, njerëzit të cilët përdorin për arsye përfitimi apo robërojnë kafshët e egra do të dënohen dhe me burgim nga 6 muaj deri në 2 vjet dhe me gjobë në masën 300 000 lekë.

Vetëm vitin e kaluar janë identifikuar më shumë se 50 arinj të mbyllur në kafaze.

Keqtrajtimi i kafshëve të egra bëhet në forma të ndryshme që përdoren kryesisht për shitje, ekspozim në kafaz apo edhe për të bërë foto.

Këto kafshë pas raportimeve dërgoheshin në qendra rehabilitimi, por nuk merreshin masa për autorët.

Që të gjitha këto akte tashmë do të dënohen me masën e përcaktuar më sipër, e cila përfshin burgim dhe gjobë njëherësh.

Ndërkohë, një vëmendje të veçantë në ndryshimet e propozuara ka marrë edhe neni i propozuar për “Shfaqjet, konkurset dhe luftimin ndërmjet kafshëve”.

Ky nen propozon që shfaqjet dhe konkurset e paligjshme ku marrin pjesë kafshë të dënohen me gjoba nga 20 mijë deri në 50 mijë lekë.

Më i ashpër është dënimi i propozuar për ata që organizojnë luftime dhe veprimtari të dhunshme me kafshët, siç janë ndeshjet mes qenve. Organizatorët ose pronarët në këtë rast do të dënohet me burgim nga 1-2 vjet burg dhe me gjobë nga 100 mijë deri në 300 mijë lekë.

Po ashtu do të dënohet me ligj edhe prodhimi, shpërndarja, shitja e  botimi i imazheve të luftimeve ndërmjet kafshëve, me çdo mjet ose forme.

Pra, edhe të pranishmit në aktivitete të tilla që bëjnë foto ose video dhe i publikojnë në rrjete sociale do të dënohet. Masa e parashikuar është deri në 200 mijë lekë gjobë ose burgim deri në 1 vit.

Në të gjitha rastet e sipërpërmendura, nëse shkaktohet ngordhja e kafshës, atëherë dënimi maksimal arrin deri në 3 vjet burg, ndërsa gjoba shkon deri në 1 milionë lekë.

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in