Kryesore Edi Rama flet për “La Repubblica”: Ju tregoj dallimet mes Rusisë dhe...

Edi Rama flet për “La Repubblica”: Ju tregoj dallimet mes Rusisë dhe Turqisë

179
0
Shpërndaje

Në një intervistë për “La Repubblica”, Rama thotë se ka një dallim të rëndësishëm, në perceptimin tonë, mes Turqisë dhe Rusisë. “Ne shqiptarët e shohim Turqinë si një shtet të rajonit, që po përpiqet të luajë rolin e tij, pa u munduar t’u imponojë asgjë vendeve të Ballkanit. Është një vend i lidhur me perspektivën euroatlantike. Rusia ka lidhje me Serbinë, me botën sllave, por e përdor këtë lidhje sikur të ishte një gur shahu në fushën e interesave të saj gjeostrategjikë; luan në Ballkan për të garantuar diçka tjetër, në nivel global, në marrëdhëniet me Europën dhe Shtetet e Bashkuara”, theksoi ai.

INTERVISTA E PLOTË:

Shqipëri, Kryeministri kërkon Europën: “BE-ja mund të garantojë paqe dhe mirëqenie”

Lideri socialist Edi Rama, i rizgjedhur para pak kohësh, u takua në Romë me Paolo Gentilonin: “Me cilëndo qeveri italiane, simbioza është e thellë: Ndihmojmë njëri-tjetrin”

“Shqipëria, shqiptarët mbeten vendi dhe populli më europianist në Europë. Dhe jo vetëm sepse duan të bëhen tërësisht pjesë e një blloku politik dhe ekonomik që e ndjejmë si shtëpinë tonë dhe që do të ndihmojë zhvillimin tonë, stabilitetin tonë. Por sepse Ballkani mbetet një rajon ku kujtimi i luftërave është ende i gjallë. Historia mund të përsëritet dhe lindja dhe suksesi i BE-së i detyrohen këtij fakti: Ajo i garantoi popujve europianë paqe dhe mirëqenie, siç nuk kishte ndodhur kurrë në të kaluarën”.

Edi Rama, lideri socialist shqiptar, ka pak që është rizgjedhur si kryeministër i vendit të tij. Dje, ai kreu vizitën e parë në Europë pas rizgjedhjes, në Romë, për t’u takuar me Paolo Gentilonin. “Me çdo qeveri italiane, nga Prodi tek Berlusconi dhe Matteo Tenzi, prej vitesh tashmë, simbioza me Italinë është e thellë. Kam ambicien të them se ndihmojmë njëri-tjetrin”.

Zoti kryeministër, ju e përsërisni gjithmonë se “Shqipëria është vendi më europianist në Europë”, objektivi për të hyrë në BE mbetet themelor për ju. Por mendoni se BE-ja, e hutuar dhe e pasigurt gjatë këtyre viteve të fundit, do ta gjejë ndonjëherë forcën që të zgjerohet duke pranuar edhe Shqipërinë?

“Të gjitha sondazhet vazhdojnë të konfirmojnë se populli shqiptar është më europianisti mes popujve europianë. Ne shqiptarët i kemi ende të freskëta kujtimet e luftërave, luftërave të Ballkanit që kanë përfunduar para pak vitesh. E kemi ende të gjallë kujtimin e regjimit komunist. E kuptojmë deri në fund vlerën e BE-së, një aleancë e lindur për të sjellë paqe mes vendeve që kanë luftuar me shekuj mes njëri-tjetrit, një aleancë që ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm, edhe pse sot strukturat e saj duhet të modernizohen. Por të vësh në diskutim mënyrën sesi funksionon BE-ja, është e dobishme; të vësh në diskutim objektivat e saj strategjikë do të thotë të mos njohësh historinë, të dish se asgjë nuk është një herë e përgjithmonë. Besoj se BE-ja do të dijë të bëjë dallimin mes krizave që kanë të bëjnë me rritjen e saj dhe braktisjes së idealeve dhe parimeve të saj strategjike. Projekti i BE-së është absolutisht i vlefshëm si horizont paqeje për të gjithë ne”.

Pse Ballkani vazhdon të jetë në objektivin e Rusisë, Turqisë, fuqive autokratike që duket se luajnë këtu një pjesë të rivaliteteve të tyre gjeopolitike?

“Ka një dallim të rëndësishëm, në perceptimin tonë, mes Turqisë dhe Rusisë. Ne shqiptarët e shohim Turqinë si një shtet të rajonit, që po përpiqet të luajë rolin e tij, pa u munduar t’u imponojë asgjë vendeve të Ballkanit. Është një vend i lidhur me perspektivën euroatlantike.

Rusia ka lidhje me Serbinë, me botën sllave, por e përdor këtë lidhje sikur të ishte një gur shahu në fushën e interesave të saj gjeostrategjikë; luan në Ballkan për të garantuar diçka tjetër, në nivel global, në marrëdhëniet me Europën dhe Shtetet e Bashkuara”.

Moska luajti rol në përpjekjen për të eliminuar Kryeministrin e Malit të Zi, disa muaj më parë. Mendoni se Rusia është kaq e fiksuar nga roli i saj në rajon, sa të arrijë të bëjë lëvizje të tilla?

“Nuk do e fusja sjelljen e tyre në fushën e “fiksimeve”. Është siç thashë, manovra që do të sabotonte hyrjen e Malit të Zi në NATO ishte pjesë e kësaj loje gjeostrategjike që përpiqet t’i ndryshojë rrjedhën vendeve tona. Ne nuk e duam këtë. Për Moskën ishte e rëndësishme të thyente unitetin e vendeve të Ballkanit që në bregdetin Adriatik janë tashmë të gjithë anëtarë të NATO-s”.

Nuk mendoni se SHBA-ja po heq dorë nga një rol i fortë në rajon?

“Roli i saj është thelbësor. Pas 40 vitesh komunizmi totalitar shqiptar dhe fiksimi anti-imperialist e anti-amerikan, populli shqiptar zhvilloi një aspiratë të thellë për vlerat liberale amerikane dhe europiane dhe roli i ekuilibrit të Shteteve të Bashkuara në zonën tonë është i domosdoshëm”.

Ju e keni thënë disa herë se pas luftërave ballkanike në vitet ’90-të, vendet e rajonit po shndërrohen nga “armiq në fqinj”. Ç’do të thotë kjo? Çfarë marrëdhënie keni me Serbinë?

“Katër vite më parë, unë vizitova Beogradin si kryeministri i parë shqiptar që prej 1946-ës; Presidenti Vucic ishte i pari që vizitoi Shqipërinë pas 60 vitesh. Po ngremë në këmbë një plan ambicioz për të hequr tarifat doganore, lehtësuar tregtinë dhe hap pas hapi, kjo do të na ndihmojë të tejkalojmë dallimet mes nesh, të zgjidhim çështjet tona. Kosova është një pikë e mosmarrëveshjes, por arrijmë ta menaxhojmë. Mund të bashkëpunojmë”.

Meqë u përmend Kosova: Çfarë mendoni për ndarjen e Katalonjës?

“Nuk më pëlqen kur dikush nga jashtë flet për punët e një vendi tjetër. Por sigurisht preferoj proceset politike që bashkojnë, që afrojnë”.

Shumë flasin për Lazaratin, fshatin ku kultivohej marijuana: ekzistojnë akoma këto oaze të krimit në Shqipëri?

“Me ndihmën e qeverisë italiane, të Guardia di Finanza, kemi kontrolluar javë pas jave situatën në Lazarat dhe në zonat ku organizatat kriminale vepronin. Po presim raportin e fundit të Guardia di Finanza, por po ju them se këto fusha të paligjshmërisë totale janë shkatërruar”.

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in