Kryesore Erdogan: Si e martova kryetarin grek të partisë time me një vajzë...

Erdogan: Si e martova kryetarin grek të partisë time me një vajzë turke

628
0
Shpërndaje

Para vizitës në Athinë presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ka dhënë një intervistë për gazetarin Aleksis Papahelas, ku sqaron deklaratat e tij për rishikimin e traktatit të Lozanës mbi sovranitetin e ishujve të Egjeut.

Ai ka thënë se kërkon paqe me Greqinë, dhe për këtë ka sjellë edhe një shembull personal.

“Fjala luftë nuk duhet kurrë, kurrë të përdoret mes nesh. Ne kemi kaq shumë gjëra të përbashkëta që mund të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.

Kur përdorim fjalën luftë trembim popullin turk dhe atë grek. Por duhet të dimë se ata jetojnë me njëri-tjetrin.

Po ju them një rast: siç e dini ka shumë qytetarë me kombësi greke që jetojnë në ishujt tanë.

Njëri prej tyre është edhe kryetar i partisë sime (AKP) për zonën. Ai ishte dashuruar me një vajzë turke.

Babai i vajzës nuk donte që të bëhej martesa mes tyre, pra mes dy  të dashuruarve me kombësi të ndryshme.

Nëna donte, por babai jo. Kam shkuar personalisht të bind babain e vajzës dhe martesa ndodhi.

Çifti bën jetë shumë normale dhe ne kemi sot një familje të shëndoshë.

Ja një shembull, por të tillë ka plot. Në Greqi, në zonën e Trakës jetojnë mbi 200 mijë turq, më shumë sesa grekë jetojnë në Turqi.

Ata janë një urë lidhjeje e marrëdhënieve tona”, tha Erdogan.

Lidhur më verën dramatike të vitit 2016 gjatë përpjekjes së grushtit të shtetit, Erdogan u pyet nëse ato kohë kritike mendoi të shkonte edhe  të në Athinë, por ai u përgjigj se jo.

“Kur ngjarjet morën rrjedhë synimi im fillestar ishte të rrija në Stamboll ose në Ankara. Nuk kisha ndërmend të udhëtoja askund tjetër përtej atdheut tim. Pronari i hotelit që më ka pritur më sugjeroi diçka. Dhe atij i thashë se po të vdisja, do vdisja në vendin tim. Deri në minutën e fundit, piloti ynë nuk e dinte se ku do të shkonte, në Stamboll apo Ankara. Pas një kursi të caktuar i kërkova të ulej në Stamboll, ku u bashkova me mijëra qytetarë të mi. Pas operacionit 16-orësh, grushti i dështuar i 15 korrikut u dërrmua definitivisht”, tha Erdogan.

Lidhur me nevojën e rishikimit të Traktatit të Lozanës, Erdogan tha se “para së gjithash, Traktati i Lozanës ka të bëjë jo vetëm me Greqinë, por me tërë rajonin. Dhe pikërisht për këtë, besoj se me kalimin e kohës të gjitha kushtet e këtij traktati duhet të përditësohen. Dhe Lozana, bazuar në ngjarjet e fundit ka nevojë për një përditësim. Ky azhurnim nuk është vetëm për Turqinë, por edhe për Greqinë. Ai mund të jetë reciprokisht i dobishëm, por natyrisht ka shumë nga ata që nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh saktësisht. Ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për atë që imponon Traktati menjëherë më fajësojnë dhe përpiqen të gjejnë interpretime të reja pas deklaratave të mia, por nuk ka asgjë prapa këtyre deklaratave.

Unë nuk dua të shkoj në detaje. Debati mbi ishujt dhe çështje të tjera vazhdojnë, por komplikohen pas ndonjë zhvillimi. Dhe kjo është diçka që ne duhet ta tejkalojmë në një hapësirë të madhe si deti Egje. Udhëtimet e anijeve tregtare dhe turistike duhet të kryhen të pashqetësuara dhe ne duhet të kapërcejmë çdo komplikacion. Kjo është arsyeja pse unë e sjell këtë çështje në vëmendje”.

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in