Aktualitet “Faktet e reja” që po mbushin dosjen “Tahiri”

“Faktet e reja” që po mbushin dosjen “Tahiri”

Saimir Tahiri ka rikthyer vemendjen e shtypit ndaj tij për shkak të një udhëtimi në Gjermani për të parë nga afër babain e shtruar në spital. Debati deri diku duket i justifikuar nga paqartësia ligjore që publiku ka rreth mundësive për lëvizje të lirë të Tahirit, pas fillimit të hetimeve ndaj tij. Por kjo është një çështje e sqarueshme lehtë. Mirë apo keq, ajo është një procedurë ligjore e vendosur nga po ata prokurorë që kërkuan arrestimin e tij.

Shkuarja dhe kthimi i tij në Shqipëri është shoqëruar me aq shumë artikuj dhe vemendje, që shkojne deri në përndjekje, sa të krijohet ideja se ka pasur një komplot që Tahirit të mos i kufizohej liria e udhëtimit vetëm që ta përndiqnin. Njëri zbulon me kë rri ulur në kolltuk, tjetri zbulon ku ka zbritur dhe me se ka shkuar në qytetin tjetër, të tjerë thonë nuk e ka takuar babain se ka qenë në Hamburg, njëri zbulon se në të njëjtën avion ka qenë dhe një shoku i tij, dhe në fund disa ballafaqojnë pa lidhje, ato që ka thënë Edi Rama, kur kërkohej arrestimi i Tahirit për lëvizjen e lirë, ndërkohë që vendimi për të mos ju ndaluar pasaporta është marrë më pas nga gjykata.

Beteja ligjore e Saimir Tahirit dhe beteja politike e tij është këtu dhe në ditët në vazhdim. Tendenca për të rritur vemendjen ndaj një ngjarje tërësisht private, është më shumë një përpjekje për ta banalizuar historinë e hetimit të tij përmes gjoja “investigimeve” të reja të udhëtimit nga qytetarë të rastësishëm. Saimir Tahirin tani po e heton drejtësia dhe ata prokurorë që kërkuan arrestimin. Ata ishin aq të bindur se kishte fakte kundër tij, sa kërkuan t’i vënë prangat në Kuvend. Tani pas gati një muaj në vend të fakteve të reja po përballemi me fakte të tipit, “a rri Saimiri me tuta, apo me kostum”, “pse nuk shkon në Kuvend”, “me kë pi kafe”, “a përdor banjën e shtëpisë apo të hotelit se ka frikë mos e përgjojnë kur bën shurrën”, “a ka takuar babain apo ndonjë të huaj”, dhe deri tek fakti që kunatit të tij i ka humbur telefoni, ndërsa vjehrra s’ka bërë byrek të dielën.

Sot Saimir Tahiri është i prekshëm dhe i pambrojtur politikisht, pasi e ka procesin e hapur dhe shtypi mund të raportojë çfarë po bëhet me dosjen e tij, çfarë po bëhet me dosjen italiane, dhe çfarë faktesh të reja ka, a është shtuar ndonjë gjë e re përveç atyre që thanë prokurorët në seancë, a u provua që paratë e Sotës ishin për “Kurumin” dhe çfarë bëhet me të,… etj. Fakti që një muaj pas plasjes së këtij skandali nuk ka lajme të reja nga prokurorët përveç dosjes së përgjimit të Habilajve dhe zbulimit të një dashnoreje të re të tyre, nuk do të thotë që duhet ta mbushim dosjen e tij me detaje të jetës. Jo se jemi duke bërë ndonjë krim, por po tërheqim vemendjen nga një hetim i nisur për një krim. Ose nga dështimi i tij!