Histori HISTORI/ Kur mbretërit ilirë Agroni, Teuta dhe Genti, shpërfillnin Romën

HISTORI/ Kur mbretërit ilirë Agroni, Teuta dhe Genti, shpërfillnin Romën

Historia e dinastive ilire. Nga mbreti Agron, te Teuta, Mbretëresha e Deteve e deri te mbreti fisnik Gent. Si mbretëria ilire shpërfilli dhe luftoi Romën, perandorinë më të madhe të historisë.

Ndërsa shtetet e enkelejve, taulantëve dhe ai i Epirit, aty nga mesi i shek. III ishin dobësuar dhe së shpejti ranë si pasojë e luftave shkatërrimtare dhe të përgjakshme të jashtme dhe të brendshme, një shteti ri ilir, shteti i ardianëve.

Doli në arenën politike me një energji të madhe. Vendbanimet e para të ardianëve ishin krahinat që shtriheshin në veri të lumit Narona (Narenta a sotme) deri në tokat e dalmatëve.

Në mesin e shek. III mbret i ardianëve ishte Agroni (250-231 para e. sonë). Gjatë sundimit të tij shteti i ardianëve u bë i fuqishëm. Ai përgatiti forca të mëdha detare e tokësore, “më të mëdhatë që kishin pasur deri atëherë mbretërit e Ilirisë”, siç thotë Polibi. Këto forca i dhanë mundësi Agronit të bënte një politikë të jashtme aktive. Në fillim ai sulmoi dhe bashkoi me shtetin e vet disa nga kolonitë greke të bregdetit dalmatin. Prej tyre, Farin dhe Korkyrën e Zezë ai i pushtoi me lehtësi, kurse Isa i qëndroi për një kohë të gjatë sulmeve ilire.

Pas kësaj Agroni ndërmori një varg veprimesh detare nëpër Adriatik e Jon. Anijet dhe njerëzit e tij arrinin deri thellë në brigjet e Greqisë. “Lakonia është bërë plaçkë e piratëve ilirë”, thoshte mbreti i Spartës, Kleomeni. Krahas me sulmet detare Agroni sulmoi nëpër tokë Ilirinë e jugut. Ai nënshtroi dokleatët (në Mal të Zi) dhe zuri qendrën e labeatëve, Shkodrën. Më vonë, nën sundimin e ardianëve hynë qyteti Lis, parthinët dhe fise të tjera ilire, të cilat më parë bënin pjesë në mbretërinë e taulantëve.

Mbretëria a ardianëve tani shtrihej në një territor të gjerë që përfshinte Dalmacinë e mesme dhe ishujt dalmatinë, Hercegovinën e jugut dhe tokat e Shqipërisë deri në Vjosë. Pushtimet e njëpasnjëshme e shtuan shumë fuqinë e shtetit ardian dhe e rritën autoritetin e tij politik në sy të fqinjëve.

Ato i lejuan Agronit të korrte një fitore tjetër – diplomatike – të vendoste marrëdhënie aleance me një nga fuqitë më të mëdha të Ballkanit në atë kohë, me Maqedoninë. Kjo aleancë i dha atij mundësi ta zbatonte më me lehtësi politikën e pushtimeve.

Në marrëveshje me mbretin e Maqedonisë, Dhimitrin e II Agroni sulmoi nga deti, më 231, etolët, të cilët kishin rrethuar qytetin Medion të Akarnanisë dhe po kërcënonin pavarësinë e tij. Etolët e thyen keqas nga sulmi i fuqishëm i ushtrisë ilire dhe qyteti shpëtoi nga rrethimi. Kjo fitore i dha ilirëve plaçkë të madhe e skllevër të shumtë.

Pas vdekjes së Agronit (231 para e. sonë) politikën e tij e vazhdoi e shoqja Teuta, e cila sundoi si tutore e mbretit të vogël Pines.

Ardhja e një gruaje në krye të kësaj dinastie, gjërat nuk do të ndryshonin, përkundrazi fama do të dilte jashtë kufijëve të Ilirisë dhe mbretëresha Teuta do të bëhej makthi i anijeve në dete.

I fundit, që do mbyllte jo vetëm këtë dinasti, por edhe historinë e mbretërisë së Ilirëve, do të ishte Genti.

Koha e Mbretëreshës së Deteve, siç është quajtur ndryshme mbretëresha Teutë, daton që prej vitit 230-228 p.e.s.. ajo nuk qëndroi shumë në pushtet, por vepra dhe lavdia e saj ka triumfuar deri në ditët tona.

Si vazhdimësi e emancipimit të femrës dhe kulturës magjepsëse të Ilirisë, ishte edhe ardhja në fron e Mbretëreshës Teuta, gruas së dytë të Agronit. Mbreti Agron kishte dy gra, por kuptohet Teuta kishte autoritetin dhe mençurinë e duhur për t’u bërë Mbretëreshë.

Ajo u vu në krye të shtetit e të ushtrisë Ilire dhe e mori drejtimin e shtetit në një periudhë të lulëzuar, por do të duhej dora dhe mendja e saj për ta çuar më tej këtë përparim. Teuta  u bazua dhe u mundua që të çonte më tej planet e lëna përgjysmë të Mbretit Agron, për sa i përkiste përforcimit të mëtejshëm të rendit shtetëror e çfarë duhet përmendur është se ajo  i dha përparësi pushtetit qendror, i dha impulse zhvillimit ekonomiko -kulturor të qyteteve si dhe fuqizimin në fushën ushtarake. Ajo u kujdes të mos cenoheshin kufijtë e mëparshëm të Mbretërisë. Por vlen të përmendet se vëmendjen kryesore ja kushtoi flotës, ndërtoj disa anije luftarake të quajtura “Liburne”, të cilat bënin ligjin në detin Adriatik. Një shtet kaq i fuqishëm, me një fuqi detare të madhe, që sfidonte deri në hyrje të Mesdheut. Nuk mund të pranohej qoftë edhe në heshtje edhe nga shtetet fqinje. Sidomos nga fakti se prijësja e këtij vendi ishte grua.

Teuta u bë objekt interesimi e diskutimi në shtetet përreth, sidomos në Romë, a mund ta duronte Perandoria Romake rivalitetin e një gruaje?

Kështu kur disa anije romake u sulmuan në Adriatik nga disa anije ilire. Roma nisi dy konsuj Lain dhe Korongain në Shkodër për t’i kërkuar Teutës të ndërhynte që të ndërpriste sulmet në det.

Ajo u premtoi romakëve se do të kujdesej që anijet e qytetarëve romakë të mos pësonin ndonjë padrejtësi në detin Adriatik, por nuk mund të ndalonte lundrimin e nënshtetasve privatë jashtë Ilirisë. Delegati më i ri e quajti sjellje “të pahijshme, marrëzi dhe dobësi gruaje”.

Teuta u fye shumë dhe kështu urdhëroi që të vrisnin konsullin e ri romak kërcënues, dhe urdhri i Mbretëreshës u krye.

Romakët me rreth njëzetë mijë vetë dhe me dyqind anije zbarkuan në tre rajone në Durrës, Korfuz dhe Apolloni. Flota Ilire u ndesh me kundërshtarë të fortë, fitoj beteja të vogla .

Dhimitër Fari duke menduar se do i zinte vendin Teutës e dorëzoi vetë flotën ilire si dhe ishullin romakëve.

Teuta e drejtoj shtetin për një kohë të shkurtër, por duke qenë e dobësuar nga tradhtitë e brendshme, e mbetur pa fuqinë ushtarake detare si dhe pa përkrahjen e fqinjëve, u tërhoq me forcat e pakta në qytetin e fortifikuar të Rizanit -në Malin e Zi. Ndërkohë Iliria u kthye në një provincë romake.

Legjendat thonë se vdiq e vetmuar por krenare.

Mbreti i fundit ilir ishte Genti, i cili është padyshim një nga më të përmendurit në historinë e antikitetit.

I njohur për sensin e tij të prakticizmit, risive dhe pasionit të tij për biologjinë, ai gjen vend nderi në faqet e historisë.

Gjurmët e tij humbasin në vitin 168 para erës sonë, kur ra Shkodra. Disa historianë pretendojnë se ai u zhduk, u vra, u arratis. Deri disa vite më parë askush nuk kishte informacione për fatin e sovranit ardian.

Pas vitit 2000 ishin emigrantët shqiptarë në Itali, ata që ranë në gjurmët e prijës Gent. Varri i tij gjendet në Itali, në provincën e Gubbios, Peruxhia, në krahinën e Umbrias.

Mbreti Gent ishte sovran i fisit të Ardianëve me kryeqendër Shkodrën. Qeverisi në harkun kohor 192 p.e.s deri në vitin 168 p.e.s. Ai që në fillim të mbretërimit të tij, pati kundërshtime nga politika romake. Atë e akuzuan si nxitës për rifillimin e piraterisë nga ana e ilirëve, ku me këtë pretekst senati caktoi në vitin 178 një flotë të posaçme prej 10 anijesh, e cila do të vepronte në Adriatik për të ruajtur nga flota ilire ujërat midis Ankonës dhe Tarantos.

Roma nxiti kundër tij dalmatët, të cilët u shkëputën nga mbretëria. Mbretit Gentit iu desh të bënte një luftë të ashpër kundër aristokracisë së lartë, e cila kishte tendenca proromake dhe gëzonte përkrahje të gjerë edhe në oborrin mbretëror. Gentin nuk e ndali asgjë në këtë luftë, në të cilën ai sakrifikoi edhe të vëllain, Platorin, që Roma synonte ta vinte në fron në vend të tij.

Genti i kushtoi gjithë vëmendjen e tij forcimit ekonomik dhe politik të mbretërisë. Ajo që na dëshmohet më mirë nga burimet midis masave me karakter ekonomik është veprimtaria e dendur monedhaprerëse që zhvilloi Genti.

Në kohën e Gentit, Mbretëria Ilire shtrihej në një territor mjaft të gjerë dhe përfaqësonte fuqinë e dytë pas Maqedonisë, në pjesën perëndimore dhe jugore të Gadishullit.

Genti mbante titullin “mbret i ilirëve” dhe sundonte si një mbret romak dhe nuk njihej në burimet ndonjë organ tjetër që të kufizonte veprimet e tij.

Pas disa betejash, fundi i mbretërimit të tij lidhet me Luftën e III Iliro-Romake, kur ardianët pësuan disfatë. Në vitin 168 p.e.s, ai iu dorëzua legjioneve romake që e pushtuan Shkodrën.

Duke e kuptuar se nuk mund t’i mbronte dot më territoret, Genti pranoi të dërgohej rob në Romë së bashku me familjen e tij, me kushtin që të mos persekutohej dhe vritej popullsia.

Njëkohësisht me Ilirinë dhe Maqedoninë romakët nënshtruan dhe Epirin. Genti bashkë me familjen e tij u dërguan në Romë. Kështu u nënshkruan dy shtetet e fuqishme te Ballkanit dhe u vendos në këto krahina sundimi romak.

Historianët pretendojnë se mbreti ardian u dërgua si rob në Romë dhe u mbajt i burgosur një vit e më pas u ekzekutua.

Ndërkaq, sipas një version tjetër dhe më pak të besueshëm, ai u dërgua në Perandorinë Romake, ku iu dhanë ofiqe dhe pasuri, për ta abdikuar nga froni i fisit ardian.

Gjithsesi mauzoleu i ka karakteristikat e një varri aristokrat dhe zë vendin në zonën e nekropolit të Gubbios, asokohe mjaft e zhvilluar.

Mauzoleumi ku u varros Mbreti Gent

Ky fakt lë shteg të lirë për të besuar se romakët e nderuan Gentin e Ilirisë pas vdekjes, ndonëse në dhe të huaj.