Opinione Katundi dhe qyteti

Katundi dhe qyteti

Nga Petro Marko

Botuar më 1937

Që të dy të mençur. Që të dy të urtë e të matur. Kanë kohë që bisedojnë mbi të mirat dhe të këqijat e qytetit dhe fshatit.

-Kush rron më mirë?

-Kush ka më tepër rëndësi?

-Kush ka më tepër detyra dhe të drejta?

-A mundet katundari të zbresë në qytet dhe të bëhet qytetar?

-A mundet qytetari të lozë me fatin e katundarit?

-Si mund të bëhet fshati më i ëmbël?

-Si mund të rritet gjendja e ulët e katundarit?

-Pse e tërheq më tepër qyteti fshatarin e këputur?

-A janë në gjendje qytetarët të ndriçojnë katundarin?

-Cila është baza e shtetit, katundi apo qyteti?

-Kujt duhet t’i jepet më tepër rëndësi?

-Kush është i ngarkuar, kujt i përket, kush mund të verë turmat e vdekura në lëvizje për drejtime përparimtare?

-Vetëm qytetari të zhvillohet dhe pastaj katundari?

-Kush është burimi i pashterur i çdo pasurie, themeli i çdo zhvillimi?

– A duhet luftuar urbanizimi?

Dhe, më së fundi, hem qytetari, hem katundari nuk i dhanë asnjë përfundim bisedës së tyre. Akoma po bisedojnë. Puna ka marrë erë grindëse…

Ti, këndonjës, a je në gjendje t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve të tyre, qoftë edhe pjesërisht?

Nëse ti merr mundimin dhe e vret pakëz kokën për problemin “katundi dhe qyteti” dërgona pikëpamjet e tua, të cilat do t’i botojmë me kënaqësi në këtë shtyllë, të shoqëruara dhe me kritikat tona.