Aktualitet Mbrojtja sulmon provat e prokurorisë në gjyqin për vrasjen e Gazmend Çollakut

Mbrojtja sulmon provat e prokurorisë në gjyqin për vrasjen e Gazmend Çollakut

Gjetja e disa njollave gjaku në makinën e ish-oficerit të ndjerë të policisë Ervin Dalipaj, i cili u shoqërua për verifikime sëbashku me Denis Shtazën pas pegmarrjes së Gazmend Çollakut, u duk se e pati zgjidhur misterin e rrëmbimit dhe ekzekutimit të këtij të fundit.

Megjithatë dy ekspertiza ADN-je të cilat BIRN i disponon nuk e lidhin gjakun e gjetur në një çantë dhe pjesë të tapicerisë së makinës as me viktimën Çollaku dhe as me Shtrazën, i vetmi i arrestuar prej 19 muajsh dhe i akuzuar për vrasjen.

E ndërsa avokati i këtij të fundit pretendon se policia e ka manipuluar këtë provë, prokurori Besnik Muçi i tha BIRN se çështja duhej analizuar e plotë duke lënë të kuptohej se akuza kishte prova të tjera.

Gazmend (Laert) Çollaku u rrëmbye mbrëmjen e 6 janarit 2016, ndërsa ishte ulur në një nga tavolinat e lokalit “Porsaidi” në Durrës, ku po priste të fejuarën e tij A.Thano. Dëshmitarët i thanë policisë se katër persona të veshur si policë, kanë rrëmbyer me forcë Çollakun duke e futur në një automjet “Audi A6” dhe janë larguar me shpejtësi.

Mëngjesin e 7 janarit, trupi i pajetë i Çollaku, i lidhur këmbë e duar me fasheta, është gjetur buzë rrugës së fshatit Murqin të Krujës, i qëlluar me armë zjarri në kokë e trup dhe me shenja të tjera dhune.

Po atë mëngjes policia shoqëroi Denis Shtrazën dhe ish-oficerin e policisë Ervin Dalipaj. Policia kërkonte Shtrazën, pasi në të dhënat e saj operative rezultonte se ai kishte pasur një konflikt me viktimën. Policia dyshonte se viktima Gazmend Çollaku ishte personi pas një atentat të vitit 2013 ku Shtraza u plagos edhe pse kjo çështje nuk shkoi në gjykatë.

Pas verifikimit Dalipaj dhe Shtraza u liruan. Policia mbajti makinën në të cilën ata udhëtonin dhe në një kontroll të dytë brenda saj gjeti njollat e gjakut në një faqe kalendari dhe pjesë të tjera të mjetit. Policia arrestoi Denis Shtazën dhe shpalli në kërkim Dalipajn në fund të janarit të vitit që kaloi. Dalipaj u vra në një atentat në prill të këtij viti ndërsa ishte në kërkim nga policia për vrasjen e Çollaku.

Njollat e gjakut u menduan si një prej provave të forta të cështjes, por dy ekspertiza ADN-je të biologes Armanda Deda i nxjerrin ato të pa lidhura me viktimën apo me personin e arrestuar për rrëmbimin dhe vrasjen.

Faksimile e ekspertizës së ADN-s | Foto nga : BIRN

Në përgjigjen e datës 28 janar 2016 ekspertja biologe Armanda Deda thutë se: “…nga gjaku i marrë me tampon në dorezën e tapicerisë së bagazhit, në ambalazhin plastik dhe në çantën e zezë, marrë gjatë kqyrjes së automjetit tip “Benz Mercedez” me targa AA 671 MZ, u përftua i njëjti profil human i plotë, i seksit mashkull me karakteristikat e përshkruara në tabelën 1, i cili është i ndryshëm nga provili gjenetik i pëftuar nga kampioni i gjakut marrë me dy epruveta kufomës së shtetasit Laert Çollaku…”

BIRN mësoi po ashtu se se në datën 5 prill 2016 e njëjta eksperte biologe e policisë shkencore gjeti se profili gjenetik i “përftuar nga kampioni i pështymës së shtetasit Denis Shtraza model krahasimi i këtij ekspertimi, është i ndryshëm nga provili gjenetik i përfituar nga gjaku në fashetat plastike (me të cilat ishte lidhur Çollaku), objekt ekspertimi…”

I kontaktuar nga BIRN avokati mbrojtës i të pandehurit Shtraza, Alban Qafa, tha se policia e Durrësit për këtë ngjarje ka bërë manipulim të provave. “Jemi përpara një situate, ku që në fillim policia e Durrësit ka punuar shumë keq dhe me dashakeqësi, duke bërë manipulim të provave. Si është e mundur që sendet, e njollosura me gjak nuk janë konstatuar fare në procesverbalin e parë të kontrollit të makinës, por janë konstatuar pas 20 ditësh,” deklaroi Qafa.

Ndryshe nga Qafa, prokurori i çeshtjes Besnik Muçi i tha BIRN se ekspertimet biologjike të ADN-së së viktimës dhe autorit të dyshuar ekzistojnë në dosjen hetimore, por ato dhe prova të tjera pjesë të dosjes do të analizoheshin në sallën e gjyqit.

“Nuk mund të marrin në analizë një ose dy dokumenta dhe process-verbale, pa e analizuar në tërësi dosjen,” deklaroi Muçi.

Pretendimet e avokatit mbrojtës lidhen me faktin se policia ka kontrolluar dy herë makinën. Në kontrollin e parë ku është mbajtur edhe procesverbal ajo ka sekuestruar 9 aparate telefonike. Dy prej telefonave i ka pranuar se i ka pasur Ervin Dalipaj dhe 7 të tjerët ish-efektivi i policisë Ervin Dalipaj, ka deklaruar në polici se i përkisnin shokëve të tij, të cilët sipas Dalipaj i kishin harruar aty.

Kontrolli i makinës është pasqyruar në një procesverbal, dhe se në këtë kontroll ka qënë i pranishëm Dalipaj, i cili ka firmosur procesverbalin dhe se ka qënë dakort me sendet e gjetura dhe sekuestrura, nga policia në makinën në pronësi të tij.

20 ditë nga kontrolli i parë i automjetit tip “Benz ML” me targë AA671 MZ, me urdhër të prokurorit të Krimeve të Rënda Besnik Muçi, në 26 janar 2016 është kryer një kontroll i dytë i këtij mjeti. Në këtë kontroll kanë asistuar ekspertë të policisë shkencore. Gjatë kontrollit nuk kanë qënë prezent të dyshuarit Ervin Dalipaj dhe as Denis Shtraza. Këtu ekspertët thonë se kanë gjetur njolla gjaku në disa sende, që nuk ishin gjetur nga oficerët e policisë së Durrësit në kontrollin e parë të automjetit.

Ndërkohë edhe pse sipas procesverbaleve të ekspertimit të ADN-së, këto njolla gjaku nuk e lidhin viktimën me makinën ku u ndalua fillimisht i akuzuari Shtraza, avokati i tij pretendon se policia i ka shtuar njollat e gjakut.

Vrasja e Gazmend (Laert) Çollakut në janar të vitit 2016 shihet nga policia si seri e një sërë krimesh të ndodhura në Durrës e Tiranë vitet e fundit duke filluar nga një atentat ndaj të akuzuarit Denis Shtraza në shkurt të vitit 2013, pas të cilit policia kishte të dhëna operative se ishte Çollaku dhe një person tjetër i vrarë në Tiranë në tetor të 2013-tës.

Ndërkohë, edhe pse nuk është e qartë nëse lidhet me këtë vrasje, ish-oficeri i policisë Ervin Dalipaj që po ashtu akuzohej për vrasjen e Çollakut,  u vra në prill të këtij viti sëbashku me Juxhin Dautin. Policia po ashtu dokumentoi edhe një sulm me armë në shtëpinë e Denis Shtrazës gjatë të cilit u plagos nipi i tij 12 vjeç.

Shtraza nuk e ka pranuar të jetë implikuar në ekzekutimin e Çollakut. Në dëshminë e tij në një nga seancat e gjyqit ai ka pranuar se e njihte viktimë dhe se ishin bërë shokë ndërsa të dy vuanin dënime për krime të ndryshme në burg në vitin 2008, ndërsa tha se kishte pasur raport miqësorë me të edhe pas lirimit.

Ai po ashtu pretendon se në ditën dhe në orën kur është bërë rrëmbimi, ndodhej në Tiranë dhe jo në Durrës. “Në Tiranë kam shkuar pasdite, për të takuar një shoqen time. Kam pirë kafe me të në një lokal në zonën “21 dhjetori” dhe aty kam takuar rastësisht Ervin Dalipaj, të cilin e njihja pasi vinte shpesht në plazhin privat, ku unë punoja në Durrës,” ka deklaruar Shtraza para gjykatës.