Opinione Një krahasim Kosovë-Katalonjë

Një krahasim Kosovë-Katalonjë

81
0
Shpërndaje

Prej të paktën dy javësh bota po drejton sytë mbi Katalonjën, rajoni spanjoll që kërcënon të shkëputet në mënyrë të njëanshme nga Madridi. Autoritetet vendore katalane organizuan një referendum antikushtetues në 1 tetor, zhvilluar në kushte kaotike dhe mbyllur me fitoren e separatistëve. Kjo është kriza e brendshme më e rëndë e Spanjës prej rikthimit të demokracisë në atë vend 40 vjet më parë. Asaj i është dhënë një jehonë edhe në Ballkan prej reagimeve të Serbisë, e cila ka tentuar të ngrejë paralelizëm mes Barcelonës e Prishtinës. Për Beogradin bashkësia ndërkombëtare ka përdorur standarde të dyfishta në të dyja krizat (të ndryshme në kohë). Ky pohim është i vërtetë dhe i shpjegueshëm me faktin se dy krizat janë të ndryshme si nga ana historike si nga ana e së drejtës.

Historianët mund të jenë të paqartë në faktin se, pas ardhjes së sllavëve në Ballkan (shekulli VII), cila ka qenë etnia numerikisht më e madhe në Kosovën e sotme: ajo shqiptare apo ajo serbe. Nuk kihet asnjë dyshim, veçse, në faktin se kur ai territor pa kalimin nga sundimin osman në atë serb pas luftërave ballkanike të 1912-1913-s shumica dërrmuese e popullsisë ishte e etnisë shqiptare. Duke mos vlejtur ndërkombëtarisht atëherë parimi i vetëvendosjes së popujve – parim i cili pas Luftës së Parë Botërore bëri me shtet polakët e çekët – në 1913 territori i Kosovës hyri në Mbretërinë e Serbisë e jo brenda kufijve të Shqipërisë së sapolindur. Historiani britanik Noel Malkolm, në librin “Historia e Kosovës” (1998), ka treguar se inkorporimi i Kosovës brenda Serbisë ishte i paligjshëm si në bazë të kushtetutës serbe si në bazë të së drejtës ndërkombëtare të kohës. Kushtetuta kërkonte një votim parlamentar për të kthyer në ligjor ndryshimin e kufijve të Serbisë, votim i cili nuk u mbajt kurrë. E drejta ndërkombëtare implikonte një traktat të drejtpërdrejtë mes Serbisë e Perandorisë Osmane për të ratifikuar kalimin e territoreve nga njëra palë tek tjetra, një traktat i drejtpërdrejtë që s’u firmos kurrë. Përgjatë 100 vjet sundimi serb shqiptarët u trajtuan në një regjim aparteidi që mohonte të drejtat e tyre kulturore dhe diskriminonte të drejtat e tyre ekonomike si punësimi. Kosova gëzoi një armëpushim të drejtash në 15 vjet autonomi (1974 – 1989), autonomi shtypur me tanke nga nacional-komunistët e Millosheviçit. Kur ndodhi shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë në 1991-shin Kosovës iu mohua e drejta e vetëvendosjes. Revolta e armatosur për vetëvendosje e 1998-s qe pasojë e pashmangshme e shtypjes së vazhduar të të drejtave shqiptare prej serbëve. Pas masakrave serbe mbi civilët një spirale vetëvendosjeje iu la Kosovës me projektmarrëveshjen e Rambujesë, e cila parashikonte administrim ndërkombëtar të saj për 3 vjet e pastaj një konferencë ndërkombëtare që do të vendoste për statusin e saj të mëtejshëm. Sipas projektmarrëveshjes kosovarëve do t’u kërkohej mendimi i tyre përmes mbajtjes së një referendumi. Projektmarrëveshja s’u pranua nga serbët dhe Kosova kaloi nën administrimin e OKB-së pas bombardimeve e spastrimit etnik të 1999-s. Gjatë periudhës së administrimit politika kosovare njohu zhvillimin e institucioneve të vetëqeverisjes. Duke mos pranuar Beogradi i Kostunicas, pasardhësi i Millosheviçit, asnjë lloj kompromisi për autonomi të zgjeruar të Prishtinës në kuadrin juridik serb, SHBA dhe aleatët perëndimorë bashkëpunuan me OKB-në dhe bashkërenduan shpalljen e pavarësisë së Kosovës prej autoriteteve shqiptare lokale në shkurt 2008. Nuk kishte asnjë lloj mënyre që shqiptarët e Kosovës, etnia mazhoritare e territorit, të pranonin të asocioheshin më në të njëjtin kuadër shtetëror me Serbinë. Pavarësinë e njohën pjesa dërrmuese e vendeve perëndimore dhe Kosova vepron sot si shtet sovran e i pavarur, megjithëse Serbia dhe një mori e gjatë anëtarësh të OKB-së ende nuk e njohin. I gjithë procesi i shtetformimit kosovar nga 1999 e deri pas shpalljes së pavarësisë është monitoruar shumë ngushtë nga OKB e partnerët perëndimorë të Kosovës. Në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë njohu se shpallja e pavarësisë nga Kosova nuk dhunonte të drejtën ndërkombëtare.

Një prej vendeve të BE-së që nuk njohin Kosovën e pavarur është Spanja. Ky qendrim është përsëritur edhe përgjatë ketij viti. Kjo sepse Madridi druhet se njohja prej tij e Kosovës do t’i jepte krahë lëvizjesh vetëvendosjeje në rajonet e tij autonome, veçanërisht Vendet Baske dhe Katalonja. Nëse Spanja njeh Prishtinën do të legjitimonte në mënyre jo të drejtpërdrejtë kërkesa për pavarësi nga këto rajone autonome. Kriza e fundit katalane, gjithsesi, nuk ka homogjenitete me krizën kosovare. Katalonja bën pjesë prej shekujsh në Spanjën e bashkuar. Zotëron elementë kulturorë (si gjuha) të ndryshëm nga pjesët e tjera përbërëse të Spanjës, por gëzon gjithashtu një statut autonomie të zgjeruar. Nën këtë autonomi Barcelona vetëqeveriset në materie të ëndërruara prej shqiptarëve të Kosovës në shumicën e periudhës së sundimit serb: kultura, edukimi, shëndetësia, tregtia, policia. Identiteti katalan nuk shtypet më prej Madridit qysh prej rënies së diktaturës së Frankos para 40 vjetësh dhe katalanët kanë votuar në referendum Kushtetutën spanjolle të 1978-s, dokumenti që afirmon integritetin territorial të mbretërisë. Ndonëse autoritetet spanjolle i janë kundërvënë zgjerimit të kësaj autonomie, pretendimet nacionaliste katalane për dhunim identiteti janë të pabaza. Referendumi i 1 tetorit – ku fitoi “Po” për pavarësinë, por nuk kishte kuorum pjesëmarrjeje (një numër çati i votuesvë nën të cilin konsultimi ishte i pavlefshëm) dhe ku pjesëmarrja ishtë nën 50% – ishte i paligjshëm sipas ligjeve kushtetuese spanjolle. Bëri përshtypje dhuna policore e forcave të Madridit për të penguar konsultimin por nuk ka dyshime mbi faktin se ai konsultim mbetet i pavlefshëm nën kuadrin juridik të atij vendi. Sipas sondazhesh në Katalonjë separatistët nga Spanja nuk janë shumicë, çka implikon se pavarësia – të cilën mund ta njohë vetëm një dorë shtetesh, si psh. Venezuela – do të ishte imponim i një pakice mbi shumicën e qytetarëve të atij territori. Kosova fitoi ndërkombëtarisht të drejtën e vetëvendosjes edhe prej doktrinës juridike ndërkombëtare të “përgjegjësisë për të mbrojtur” (“responsability to protect”) një pakicë të shtypur. Parimi i vetëvendosjes është i zbatueshëm në të këtilla kushte dhunimi të drejtash, inekziste në Katalonjë. Politikisht një autogol i pafalshëm për qeverinë spanjolle, dhuna e 1 tetorit nuk mund t’i japë shkas asnjë interpretimi indipendentist sepse ky interpretim është antikushtetues. Fatkeqësisht mundësitë për zgjidhje paqësore të krizës aktuale katalane po humbasin në një lojë shahu ku Barcelona luan me shpalljen e një pavarësie përgjysmë dhe Mbretëria e Spanjës pret të kuptojë qëllimet e separatistëve republikanë para se të kalojë në sanksionet ligjore, që fillojnë me pezullimin e autonomisë katalane derisa në atë territor të rivendoset rendi kushtetues kombëtar. Për momentin e drejta është e gjitha në anën e qeverisë spanjolle.

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in