Extra Përse disa persona tërhiqen nga një partner dominant?

Përse disa persona tërhiqen nga një partner dominant?

Kërkimet tregojnë se zgjedhjet në jetën romantike janë më të ndërlikuara nga sa duken. Ja përse disa njerëz kërkojnë partnerë që i mbizotërojnë dhe që marrin vendime për ta

Jeni të tërhequr nga një partner që është në kontroll, i fuqishëm, i vendosur dhe që merr gjithnjë drejtimin? Apo preferoni dikë që është më pak mbizotërues? Përgjigjja do të varet nga gjinia dhe personaliteti juaj. Gratë preferojnë “djemtë e këqij” dominantë dhe disa burra preferojnë “vajzat e këqija”. Gra të ndryshme kanë arsye të ndryshme përse kërkojnë një partner dominues, ashtu sikurse të tjera kërkojnë të kundërtën.

Ka mënyra të ndryshme si një person është dominant, por kërkuesit e konsiderojnë mbizotërimin social si diçka që përfshin të qenët autoritarë, në kontroll dhe gjithnjë në kërkim të lidershipit. Megjithatë, të tilla karakteristika nuk lidhen gjithnjë me njerëzit e sjellshëm dhe që u interesojnë të tjerët.

Personat dominantë priren të jenë më të orientuar nga vetja dhe të mos preken nga ndjenjat e të tjerëve, tipare këto që shumica prej nesh nuk i kërkon te një partner romantik. Që dominantët të shihen si partnerë të dëshirueshëm, ata duhet të kombinojnë personalitetin komandues me disa tipare të tjera si vullneti për të qenë bujar dhe ndihmues. Gratë duan një partner që është konkurrues me të tjerët, por që i trajton ato mirë.

Psikologët evolucionarë pretendojnë se femrat preferojnë partnerë dominantë sepse të tillë burra kanë gjene superiore. Provat kanë treguar se gratë preferojnë burra dominues kur ato vetë janë në pikën më pjellore të ciklit menstrual, ndërsa burrat nuk kërkojnë po sipas kësaj mënyrë gra dominante.

Kërkimi i ri i Gilda Geibel dhe kolegëve të saj shkon përtej këtyre shpjegimeve evolucionare, që përqendrohet vetëm në dallimet gjinore dhe ekzaminon si karakteristikat e personalitetit tonë ndikojnë preferencën e partnerëve dominantë. Kërkuesit spekuluan se nëse një partner pasiv, por i sjellshëm shihet si “i mërzitshëm”, atëherë njerëzit që kundërshtojnë mërzinë në jetën e tyre do të kërkojnë partnerë dominantë.

Ata parashikuan se njerëzit që kërkojnë të renë dhe aventurën, si dhe eksperienca të rrezikshme kanë më shumë gjasa të preferojnë partnerë dominantë. Ata kërkuan edhe mënyrën si ndikon ankthi, veçanërisht për femrat, në këto preferenca.

Në një studim, 172 të rritur gjermanë plotësuan pyetësorë personaliteti dhe më pas matën preferencat për një partner dominant. Pjesëmarrësit vlerësuan se sa shumë janë dakord me deklarata si “Një burrë/grua shumë i/e sjellshme është shpesh i/e mërzitshëm/me”, “Më pëlqen kur partneri/ja merr drejtimin në lidhjen tonë” dhe “ndihem i/e tërhequr ndaj grave/burrave nën kontroll”.

Për të vlerësuar kërkimin e sensacionit, pjesëmarrësit plotësuan një matës të këtij tipari, që përfshin katër kategori:

Emocioni dhe kërkimi i aventurës. Tendenca për t’u përfshirë në sjellje që shmangin frikën si për shembull hedhja me parashutë dhe ngjitja e një mali.

Përfshirja në sjellje impulsive si droga, alkooli apo seksi i pambrojtur.

Kërkimi për eksperienca. Kërkimi i eksperiencave më pak të rrezikshme por që të entuziazmojnë, eksperiencave të reja si udhëtimi apo eksperiencat artistike.

Ndjeshmëria ndaj mërzisë. Tendenca për t’u mërzitur shpejt dhe nevoja për të pasur stimulim të vazhdueshëm nga të tjerët ose nga ngjarje.

Rezultatet treguan se ata që kërkojnë eksperienca nga të dyja gjinitë ishin më të prirë të preferojnë një partner dominant. Veçanërisht, ndjeshmëria ndaj mërzisë dhe shfrenimi lidheshin me një preferencë për partnerë dominantë, ndërsa dëshira për emocion nuk lidhej me këtë dëshirë.

Kjo do të thotë se ata që mërziten lehtë dhe që përfshihen në sjellje impulsive mund të zgjedhin partnerë më dominantë. Partnerë të tillë mund të ofrojnë entuziazmin që ata kërkojnë të jenë të stimuluar.

Kërkuesit ekzaminuan nivelet e përgjithshme të ankthit te pjesëmarrësit. Në veçanti, ata hipotetizuan se femrat që kishin më shumë ankth mund të preferonin partnerë dominantë për mbrojtjen që ato kërkojnë.

Rezultatet e tyre zbuluan se kishte dy lloje femrash që preferonin partnerë dominantë, ato që shfaqnin mërzi dhe ankth. Këto tipare nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, duke ofruar prova se këto dy lloje femrash mund të kenë motive të ndryshme që kërkojnë partnerë dominantë.

Femrat në ankth duket se preferojnë partnerë dominantë sepse ata i ofrojnë mbrojtje dhe siguri, ndërsa femrat që mërziten shpejt për shkak se ata janë entuziazmues.

Jo të gjitha femrat në ankth preferojnë partnerë dominantë. Për të qenë sa më pranë së vërtetës lini mënjanë stereotipat dhe njihini personat nga afër.