Opinione Projekt i ri ruso-serb për Ballkanin

Projekt i ri ruso-serb për Ballkanin

114
0
Shpërndaje
Shaban Murati

Rusia është qendra kryesore e prodhimit të ideve dhe të projekteve ekspansioniste serbe në Ballkan. Kjo u konfirmua përsëri këto ditë kur Sergej Zheleznjak, një nga politikanët dhe deputetët më të rëndësishëm rusë, nënkryetar i partisë sunduese të presidentit Putin “Rusia e bashkuar”, shpalli në 14 shtator konceptin e ri të “botës serbe në Ballkan”. Afishimi u bë me rastin e koordinimit të programit të përbashkët të shtetit dhe të parlamentit rus bashkë me shtetin dhe parlamentin serb për të hartuar një Deklaratë Rajonale “për ruajtjen e identitetit kombëtar serb, të kulturës, të gjuhës dhe të alfabetit cirilik në të gjithë Ballkanin”. Deklarata rajonale për “botën serbe në Ballkan” do të miratohet nga parlamentet e Rusisë dhe të Serbisë brenda vjeshtës së këtij viti. Zyrtarët rusë dhe serbë, që u takuan për këtë qëllim në Moskë në 14 shtator, deklaruan se do t’ua propozojnë për nënshkrim këtë Deklaratë Rajonale të gjitha vendeve ballkanike. Autorësia dhe protagonizmi rus i këtij projekti u pohua nga Sergej Zheleznjak, i cili deklaroi se partia qeveritare ruse “Rusia e bashkuar” është gati të marrë përsipër pjesën më aktive në hartimin e dokumenteve të përshtatshme, duke bashkëpunuar me grupet e miqësisë së parlamenteve të vendeve ballkanike. Është e kuptueshme se këtu nuk kemi një shqetësim linguistik të Rusisë për identitetin serb apo “botën serbe në Ballkan”, por një shqetësim politik dhe diplomatik të saj për rolin e Serbisë në Ballkan.

Jemi para një projekti të ri ruso-serb për përhapjen dhe pranimin e influencës serbe në vendet e tjera të Ballkanit. Rusia ka një interes të lexueshëm politik dhe strategjik në rajon, përderisa merr përsipër hartimin e Deklaratës Rajonale dhe gjithë veprimtarinë parlamentare, diplomatike e shtetërore për realizimin e këtij projekti. Rusisë i intereson që në Ballkan dhe sidomos në atë grup shtetesh, që është emërtuar “Ballkan Perëndimor” dhe ku asnjë shtet nuk është akoma anëtar i BE, të vendoset një ndikim i Serbisë në jetën shoqërore, politike, kulturore e shpirtërore të vendeve të këtij grupimi. Për këtë qëllim nga Moska është zgjedhur dhe shpallur Serbia si përfaqësuesja e kulturës, gjuhës dhe e alfabetit cirilik në rajon, ndonëse në Ballkanin Perëndimor janë katër shtete, që i përkasin gjuhës sllave dhe alfabetit cirilik. Serbia emërohet nga Moska protektorja rajonale e pansllavizmit jo vetëm nga pikëpamja kulturore e linguistike, por edhe politike. Në Ballkanin Perëndimor vetëm kombi shqiptar nuk i përket botës, gjuhës, kulturës dhe alfabetit sllav, por edhe dy shtetet shqiptare nuk mbeten jashtë përfshirjes në sferën e “botës serbe”, sepse Serbisë dhe Rusisë i duhet i gjithë rajoni. Pretekstet e ndërhyrjes janë në Kosovë pakica serbe dhe në Shqipëri pakica maqedonase ose boshnjakët myslimanë të konvertuar në “serbë” nga shërbimet e posaçme serbe.

Strategjia e Deklaratës Rajonale ruso-serbe është pranimi vullnetar i “botës serbe” nga vetë shtetet e rajonit, që në thelb është pranimi nga ato shtete i rolit udhëheqës dhe hegjemon të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Projekti i “botës serbe në Ballkan” është imitim i projektit të madh të “botës ruse” nëpër botë, një megaprojekt i presidentit rus, Vladimir Putin për shtrirjen e ndikimit rus në të gjitha rajonet e globit. Jo rastësisht, Moska është protagonistja e projektit të “botës serbe në Ballkan” dhe planifikon si fazë të parë të realizimit bashkimin e partive politike proruse në Ballkan për ta pranuar Deklaratën Rajonale të “botës serbe”. Është vazhdimi i strategjisë së shtetit dhe të diplomacisë ruse, të cilët në 27 qershor të vitit të kaluar mblodhën në Moskë partitë politike proruse nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe i ulën të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët rajonale me angazhimin e tyre për krijimin e “një territori neutral në Ballkan”. Një lëvizje e qartë antiatlantike e diplomacisë ruse në Ballkan.

Jo rastësisht projekti i ri i “botës serbe në Ballkan” doli menjëherë pas shpalljes nga kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç të planit të tij për rikrijimin e Jugosllavisë së vjetër, përfshirë Shqipërinë, plan të cilin ai e deklaroi publikisht në 6 prill 2017 dhe tekstualisht u shpreh: “Është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipërinë”. Vuçiç e filloi këtë plan me propozimin për krijimin e një zone ekonomike të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dimensioni i ambicies së Serbisë është më i gjerë dhe përfshin edhe planin politik e kulturor. Për këtë qëllim, Vuçiç sapo u betua si president i ri në fillim të qershorit, shpalli një “nismë kulturore” për të shtrirë praninë dhe ndikimin e Serbisë në të gjitha vendet e rajonit. Tani Rusia dhe Serbia shkallëzojnë dhe koordinojnë nismat e tyre rajonale, duke paraqitur propozimin, ku vetë vendet e rajonit të pranojnë shtetin tyre si pjesë të “botës serbe”.

Në planin diplomatik të bën përshtypje që Rusia del dhe vepron hapur si në nismat e saj ballkanike, ashtu edhe në përdorimin e Serbisë si instrument i politikës ballkanike ruse. Moska nuk e kamuflon veprimin e saj diplomatik në rajon dhe afishon se ajo ka barrën kryesore të hartimit dhe të përpjekjeve diplomatike për realizimin e projektit të ri.

Duket se qeveria dhe diplomacia ruse e kanë me ngut dhe nuk kanë kohë dhe as durim që të fshehin ambiciet e tyre në drejtim të Ballkanit. Dështimet e diplomacisë ruse në Mal të Zi, i cili u pranua anëtar i NATO-s, dhe në Maqedoni, ku u largua nga pushteti beniamini rus, Nikolla Gruevski, duket e kanë detyruar që të mos e ruajë më as aparencën diplomatike. Sergej Zheleznjak del dhe deklaron se do të jetë Rusia, ajo që do të bashkëpunojë me partitë politike të vendeve ballkanike dhe me parlamentet e tyre për projektin e ri të “botës serbe në Ballkan”.

Thelbi antiperëndimor dhe antiatlantik i projektit ruso-serb lexohet lehtë. Sergej Zheleznjak deklaroi se, “Rusia sheh presione serioze, që po bëhen nga SHBA dhe NATO mbi botën serbe në Ballkanin si i tërë”. Zyrtari i lartë rus nuk e sqaroi se çfarë është kjo “botë serbe në Ballkan” dhe çfarë lloj presioni konkret po i bëkan SHBA dhe NATO “botës serbe” në rajon. Zyrtari rus nuk e specifikoi se ku e sheh Rusia këtë “botë serbe” në vendet e ballkanike, ku bën pjesë edhe Shqipëria e Kosova. Moska nuk mund ta thotë, sepse e identifikon “botën serbe” me influencën serbe në vendet ballkanike. Jo më kot zyrtari i lartë rus e lidhi shqetësimin për “botën serbe” me zhvillimet e fundit në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Në Mal të Zi në tetor të vitit të kaluar dështoi grushti i shtetit i organizuar nga shërbimet sekrete ruse dhe serbe për të rrëzuar qeverinë e ligjshme dhe për të penguar anëtarësimin në NATO. Në Maqedoni dështoi komploti politik ruso-serb për të mbajtur në pushtet në mënyrë të paligjshme kryeministrin e korruptuar dhe autokrat Gruevski dhe për të penguar rrugën e integrimit euroatlantik të Maqedonisë. Shteti dhe diplomacia ruse po nguten dhe po dalin me propozime dhe projekte të reja për t’i hapur mundësira depërtimit serb në vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk e është e rastit që diplomacia ruse e ka përkrahur projektin serb të krijimit të zonës së përbashkët ekonomike në Ballkanin Perëndimor. E ka përkrahur, sepse është në favor të Serbisë, që ka ekonominë më të fuqishme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. E ka përkrahur, sepse është edhe në favor të Rusisë, sepse Serbia ka nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë me Rusinë dhe Rusia do ta ketë më të lehtë të vërshojë në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet Serbisë dhe të dominojë tregtinë dhe ekonominë e rajonit. Përkrahje ka shprehur diplomacia ruse edhe për nismën e presidentit serb, Vuçiç, për të ashtuquajturin dialog të brendshëm për Kosovën dhe Sergej Zheleznjaku e përsëriti këtë përkrahje në 14 shtator.

Projekti ruso-serb i “botës serbe në Ballkan” është një nismë politiko-diplomatike për forcimin e ndikimit serb dhe rus në Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht se në pamjen e parë duket se ka të bëjë me gjuhën dhe alfabetin cirilik, projekti në planin gjeografik synon gjithë Ballkanin Perëndimor. Jashtë objektivit të këtij projekti nuk mbetet as Shqipëria dhe as Kosova, përderisa janë pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe përderisa janë pjesë e ambicies së Serbisë për rikrijimin e Jugosllavisë së vjetër me dy shtete shqiptare brenda.

Janë dy elemente, që dolën nga bisedimet e zhvilluara në Moskë në 14 shtator midis delegacionit të Rusisë, të kryesuar nga nënkryetari i partisë qeveritare, Sergej Zheleznjak dhe delegacionit të Serbisë të kryesuar nga Marko Gjuriç, anëtar i kabinetit qeveritar dhe nënkryetar i partisë qeveritare serbe, SNS. Elementi i parë është se deklarata e përbashkët për pranimin e “botës serbe në Ballkan” do të nënshkruhet bashkë me partitë vendeve ballkanike dhe elementi i dytë është se për këtë qëllim do të bashkëpunohet me grupet e miqësisë, që Rusia ka në parlamentet e vendeve ballkanike.

Kjo do të thotë që Rusia dhe Serbia mund të përpiqen të tërheqin në projektin e tyre edhe partitë politike shqiptare, edhe grupet e miqësisë ruso-shqiptare apo serbo-shqiptare në parlamentin e Shqipërisë. Në këtë kuadër, lobi rus dhe serb në Tiranë pritet të jetë shumë aktiv dhe duke tundur etiketën kulturore të projektit të “botës serbe apo botës sllave” të përpiqet ta kanalizojë në linja zyrtare një pjesëmarrje shqiptare. Naiviteti apo lidhjet okulte mund të çojnë që të përsëritet ajo, që ka ndodhur me kurthin ruso-serb të tërheqjes në projektin e bazës ushtarako-diversioniste të Rusisë në Nish të Serbisë, ku përfaqësues të Shqipërisë kanë marrë pjesë në fillim në takimet për bazën apo kanë pranuar ndihma nga ajo bazë. Apo rasti i pranimit nga Shqipëria të projektit rus të “kuintetit policor ballkanik” të luftës kundër narkotikëve, të drejtuar nga Rusia.

Karremit rus duhet t’u ruhen grupet parlamentare të miqësisë dhe partitë politike shqiptare. Ata duhet t’u shmangen sugjerimeve dinake të këshilltarëve jugosllavë dhe të disa qendrave pseudostudimore në Tiranë, që financohen nga Rusia dhe nga Serbia. Identiteti dhe sovraniteti kombëtar shqiptar janë rrezikuar gjatë 13 shekujve nga ambiciet serbe dhe strategjitë afatgjata të Serbisë ndaj kombit shqiptar nuk ndryshojnë me stinët politike, që janë në modë në një periudhë të caktuar në arenën ndërkombëtare. Vetëm naivët ose ata që shtiren si naivë, nuk e shohin./Gazeta Shqiptare

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in