Opinione Rruga për ne Europë, nuk kalon nga Shqipëria!

Rruga për ne Europë, nuk kalon nga Shqipëria!

39
0
Shpërndaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, që Shqipëria të rrisë kategoritë e pajisjes së shqiptarëve të Kosovës me pasaporta të Shqipërisë, si një mënyrë për të “çarë” rrethimin që Europa i ka bërë Kosovës, me regjimin e vizave.

Çështja e mos heqjes së vizave për Kosovën nga Bashkimi Europian, është realisht një akt i pajustifikuar, ku ndikon mes të tjerash paragjykimi që ekziston për performancën e shtetit më të ri të Europës, ndihmuar dukshëm dhe nga arsyet që jep politika e Kosovës në këtë drejtim. Një vend i cili 25 vjet më parë lëvizte lirshëm pa viza në gjithë Europën dhe SHBA, nuk ka arsye të ri-izolohet çerek shekulli më vonë, duke qenë i vetmi vend në Europë i izoluar nga lëvizja e lirë.

Por kjo është një temë tjetër, zgjidhja e së cilës nuk vjen prej zgjidhjes që ofron presidenti Thaçi.

Shqipëria nuk mund të çajë rrethimin e Kosovës për në Europë përmes një gjesti administrativ, siç është pajisja me pasaporta shqiptare e shtetasve të Kosovës, edhe pse ata realisht kanë shumë nevojë.

Shqipëria po ashtu është një shtet me performancë të diskutueshme në sytë e Europës, por dhe sikur të ishte një vend model, kjo nuk mund të ishte një zgjidhje për Kosovën.

Shqipëria dhe Kosova, si dy pjesë të një kombi, por dy shtete më vete, duhet t’i krijojnë shanse vetes që të jenë dinjitoze në procesin e anëtarësimit dhe Europën të mos e marrin si dhuratë, por si standard të tyre.

Pajisja me pasaporta shqiptare e shumë shqiptarëve të Kosovës, është një sinjal i gabuar, që mund ta forcojë “embargon” e Europës ndaj Kosovës e Shqipërisë. Ai në dukje perceptohet si një karshillëk, ndaj Europës me një mjet që po ashtu e ka në dorë Europa, siç është liberalizimi i vizave për shqiptarët.

Problemi i shqiptarëve nuk është si të përdorin përparësitë e njëri- tjetrit kundër Europës, apo si t’ia bëjnë asaj “me hile” në këtë proces, por si ta bindin atë që e kanë marrë seriozisht rrugën drejt Europës.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka një procedurë standarde të dhënies së pasaportave, që është konform standardeve europiane, dhe çdo cenim i këtyre standardeve vetëm sa e bën dhe Shqipërinë, një vend më larg Europës.

Një klauzolë e këtij ligji, që ka të bëjë me pajisjen me pasaporta për personalitete të shteteve të tjera është keqpërdorur aq shumë nga paraardhësit e Ilir Metës, sa Bujar Nishani do mbahet mend vetëm për dekoratat dhe këto qokat me pasaporta për këdo, që ka ditur ta “bindë” atë që është personalitet. Dhe merre me mend sa e thjeshtë është ta bësh këtë para Nishanit.

Serbia nga ana e vet, ka përdorur pajisjen me pasaporta të shtetasve me origjinë serbe në Kosovë, jo si një rrugë për të lehtësuar udhëtimin e tyre në Europë, por si një mënyrë për t’i bërë të ndjehen të sigurtë në Kosovë, për të mos pranuar identitetin e saj. Kjo është një çështje shumë e pangjashme me çështjen e Kosovës dhe Shqipërisë. Vetë Serbia aktualisht i ka punët më mirë se Shqipëria e Kosova në raport me Europën, dhe është një hap para tyre në mënyrën se si po shpejton drejt anëtarësimit.

Shqipëria dhe Kosova, është mirë të ndjekin këtë ritëm të saj, dhe jo gjestet e saj nervoze kundër Kosovës, që burojnë nga një histori e tërë e zezë e tyre ndaj shqiptarëve.

Problemi i Kosovës nuk është si të gënjejë Europën dhe si ta ndihmojë Shqipëria në këtë pikë. Problemi i Kosovës, përfshi dhe Shqipërinë, është si të bindin veten se “Albanofobia” që shpiku Berisha kur ishte në krizë me Perëndimin dhe teoria e tij ”një komb, një pasaportë”, nuk është zgjidhje, dhe as një alibi për dështimin e tyre në rrugën drejt Europës. Është thjeshtë një sinjal që nuk i kemi punët mirë me Perëndimin. Rruga e Kosovës për në Europë nuk kalon nga Shqipëria. Rruga e Kosovës për në Shqipëri kalon nga Europa. Kjo nuk duhet harruar!

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in