Sport Skënderbeu i “falet” Shehit, korçarët kalojnë Laçin 2-1

Skënderbeu i “falet” Shehit, korçarët kalojnë Laçin 2-1

41
0
Shpërndaje

Krijon raste, shpërdoron shumë, dominon kundërshtarin por rrezikon të lejë pikë në Korçë skuadra e Skënderbeut që duhet t’i falet Shehit monumental që edhe pse me 40 vite mbi supe, arrin të rezultojë vendimtar për skuadrën e Ilir Dajës. Portiri bardhekuq ndali Nikën nga pika e bardhë në fundin e pjesës së dytë duke shpëtuar rezultatin ndaj Laçit që luftoi deri në fund për të evituar humbjen 2-1. NJë ndeshje spektakolare me skenar të denjë për filmat aksion por me një fund të lumtur për Skënderbeun që vazhdon të mos njohë humbje këtë sezon në kampionat. Daja zgjodhi një formacion sulmues me treshen e avancuar Sowe-Xhejms-Muzaka, ndërsa Mezani preferoi që nga minuta e parë Regginaldon. Dominim absolut i korçarëve në fillim me Sowe që dha sinjalin e parë duke krijuar iluzionin e golit me një rrjetë të jashtme, ndërsa Osmani i vetëm në zonën e rreptësisë nuk shfrytëzoi asistin e Radas me kokë duke finalizuar jashtë. Goli ishte vetëm çështje minutash dhe nuk vonoi pasi Xhejms nga e djathta pak mori një top të artë duke preferuar të pasonte por Ademir Sousa bëri rolin e qëndërsulmuesit të Skënderbeut duke e shtyrë topin në rrjetë .

Laçi i kushtoi më shumë vëmendje sulmit pas pësimit të këtij goli dhe debutuesi Regginaldo që u aktivizua tiotullar pasi humbi ndeshjet e para të sezonit për shkak të një dëmtimit, tentoi të shtangte Shehin me një të djathtë që përfundoi ngjitur me shtyllën e djathtë . Skuadra e Dajës mori sërish kontrollin duke e shtyrë ekipin kurbinas në gjysmëfushën e tij por as Muzaka dhe as Soëe me një veprim akrobatik nuk arritën të shënonin golin e qetësisë. Daja fut në lojë Jashanicën në vend të Osmanit ndërsa në fillimin e pjesës së dytë skuadra korçare kërkoi me ngulm ta mbyllte ndeshjen por pas rasrtit të Ditës , Lushkja i shërbyer nga Uzuni në hyrje të zonës avancoi dhe nuk gaboi duke e ndalur topin në rrjetë.

Një shuplakë e fortë për vendasit që i përqendruan të gjitha energjitë në sulm duke iu afruar vetëm për çështje centimetrash golit në minutën e 69 ku Muzaka u ndal nga tranversa dhe Selmani, ndërsa Xhejms pak çaste më vonë ishte paqartë me një top që nuk përfundoi as si goditje dhe as si pasim. Porta e Laçit u shënjestrua vazhdimisht me topin që dukej sikur nuk do të hynte kurrë, por formulën e gjeti shtatlarti Jashanica që pas një kërcimi të fuqishëm në zonë shënoi golin e avantazhit .

Skuadra e Mezanit e hutuar nuk arriti të reagonte madje Xhejms shpërdoroi sërish një rast të artë , ndërsa Muzaka u ndal në momentin e fundit nga mbrojtja kurbinase. E pabesueshme, Skënderbeu rrezikoi seriozisht të pësonte golin e dytë pasi Jashanica ndaloi në mënyrë të parregullt Lushkjen, por Nika nga pika e bardhë u ndal dy herë nga Shehu . Fantastik portieri i Skënderbeut që shpëtoi rezultatin për skuadrën e Dajës, ndërsa Laçi nuk u dorëzua deri në fund duke e zhvendosur lojën në zonën e korçarëve por pa sukses. Një fitore e vuajtur për skuadrën juglindore që ngjitet në kuotën e 13 pikëve dhe kryeson e vetme kampionatin, ndërsa Laçi tregoi se është një skuadër në rritje dhe me kalimin e javëve mund të pretendojë diçka më shumë se mbijetesa.

Komento

Shkruani komentin tuaj
Ju lutem fusni Emër-in